E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Reagimet nga njerëz të sponsorizuar, Topalli s’përfaqëson Shkodrën qytetare

Sipas Presidentit, çdo interpretim tjetër që i është bërë fjalës së tij është “jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike”

TIRANË Për presidentin e Republikës, Bamir Topi, reagimet e disa intelektualëve apo shoqatave në Shkodër, për qëndrimin e tij dy ditë më parë në Shkodër ndaj gjuhës së përdorur nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përfaqësojnë grupe të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike. Presidenti i Republikës ka reaguar dje përmes një njoftimi për shtyp, pas deklaratave dhe qëndrimeve të disa prej shoqatave në Shkodër, duke nënkuptuar qartë se ato janë të sponsorizuara nga Topalli, sa kohë që këtë të fundit ai e sheh si jo të lidhur me Shkodrën qytetare. “Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, është njohur përmes burimeve zyrtare me disa deklarata e nisma të njëanshme, të pasakta dhe denigruese, të ndërmarrë ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson, nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër. Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale, Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë, apo veprim të tij, nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj. Mesazhi kritik i Presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive, i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila, me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Sipas Presidentit, çdo interpretim tjetër është “jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike”. “Për këdo sot është e qartë se ky ose këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën, as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Edhe njëherë, Presidenti i Republikës ka rishprehur vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. “Ky vlerësim përbën bazën e nismës së Presidentit për të nderuar ditët e fundit disa nga personalitetet e saj më të shquara qytetare, kulturore e sportive, si dhe të qëndrimit të tij permanent në mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e traditës së pasur të qytetarisë shkodrane,” - thuhet në deklaratën zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›