Debati, Shoqata të Shkodrës: U fyem nga Presidenti i Bulevardit!
Shkrimtari Fadil Kraja: “Më vjen keq që ai ka ranë në këtë holli të keqe, sepse ai është tiranas, flet vetë gegnishten, përdor vetë paskajoren dhe çuditem me të. Unë i them se ju mund ta luftoni Jozefina Topallin, ‘aq sa keni takat’, për politikën apo për diçka tjetër, por mos ia veshni si këmishë faji gegnishtes, se kjo na fyen të gjithëve”
SHKODER Pas akuzave të ndërsjella mes presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për gjuhën e përdorur nga kjo e fundit, kanë ardhur edhe reagimet e para nga qyteti i Shkodrës. Një debat krejt politik mes Topit dhe Topallit dje ka kaluar në përmasa të tjera, duke e konsideruar qëndrimin e Bamir Topit si sulm ndaj gegnishtes. “Më vjen keq që ai ka ranë në këtë holli të keqe, sepse ai është tiranas, flet vetë gegnishten, përdor vetë paskajoren dhe çuditem me të. Unë i them se ju mund ta luftoni Jozefina Topallin, ‘aq sa keni takat’, për politikën apo për diçka tjetër, por mos ia veshni si këmishë faji gegnishtes, se kjo na fyen të gjithëve”, - tha dje shkrimtari Fadil Kraja. Ndërsa pedagogu i universitetit të Shkodrës, Erzen Koperajs, shprehet se “gegnishtja është dialekti me të cilin ka filluar të shkruhet shqipja dhe ka një të drejtë historike, sepse është dialekti që është lëvruar më shumë dhe ka përfaqësuar kulturën e mirëfilltë shqiptare prej 1555-1954, dhe janë 450 vite dominance të gegërishtes që nuk mund të anashkalohen. Do ishte më mirë të shtrohej përdorimi i tepërt i fjalëve të huaja dhe huazimeve që, siç thoshte profesor Eqerem Çabej, ata që i përdorin janë përgjithësisht inferiorët në formimin e tyre kulturor ose me mangësi në përdorimin e gjuhës”. Ndërsa një grup të rinjsh me pankarta në duar, ku ishin shkruar vargje e thënie të autorëve të njohur shqiptarë, që kanë shkruar në gegnisht, kanë paralajmëruar fillimin e një reagimi qytetar, që, sipas tyre ka, si qëllim ndalimin e denigrimit që i bëhet gegërishtes. Po dje ka reaguar edhe Qendra Kulturore e Shkodrës, “Pjetër Gaci”. “Si qytetarë të Shkodrës, si përfaqësues të traditës e kulturës shkodrane, shprehim indinjatën e thellë për konsideratat e turpshme e aspak të denja për një drejtues institucioni e aq më pak për kreun e shtetit! Dje Shkodra priste Presidentin e Republikës, por u fye nga Presidenti i Bulevardit! T'i kërkojë falje Shkodrës dhe shkodranëve, pa votat dhe mbështetjen e të cilëve nuk do të ishte atje ku është! Mbështetjen, votën dhe besimin e Shkodrës anti-komuniste dhe të qindra mijëra demokratëve e shpërdorove paturpësisht për katër vjet, dhe e hodhe me dorën tënde kundër tyre më 8 Maj! Kërkojmë me forcë tërheqjen publikisht të deklaratave fyese ndaj dialektit shkodran, në të cilin penat e arta që Shkodra ka nxjerre në shekuj stolisën gjuhën shqipe!”, - thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj qendre kulturore, e cila ka ashpërsuar jo pak gjuhën ndaj kreut të shtetit. “Për 50 vjet rresht do hora të tjerë që ti i dekoron ‘për kontribute të shquara’ e i propozon për në majën e sistemit të drejtësisë, u përpoqën t'ia ndërrojnë gjuhën Shkodrës, dhe hynë deri në vorr për të zhduk deri edhe eshtrat e atyre që shkruan vargje të pavdekshme, por Shkodra është prapë aty, zonjë krenare për traditën, kulturën e qytetërimin perëndimor që e ka në gen, e që as horat, as hetuesit e prokurorët e as spiujt e Sigurimit të Shtetit nuk e zbehin dot!”, - thuhet në njoftimin zyrtar.
Diana Kolaj