E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Bllokimi i Ramës, alibi për kongresin

TIRANË Demokratët e lidhin mungesën e konsensusit për ligjet me 3/5-at si alibi nga ana e kryesocialistit Edi Rama jo vetëm për të penalizuar qeverinë, por edhe për të kapërcyer kongresin e nëntorit të PS-së deri në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. “Ky qëndrim bllokues i Edi Ramës ka për të vazhduar. Ndoshta jo vetëm derisa ai të riformatojë zgjedhjet dhe të mbyllë çështjen e zgjedhjeve në parti, por ka për ta mbajtur këtë si një gur loje politike deri në zgjedhjet e 2013-ës,”- tha dje deputeti demokrat Jemin Gjana. Ai shtoi se, kjo praktikë e kreut të opozitës, është vazhdimësi e modelit 2-vjeçar të socialistëve. “Edhe në pikëpamje të afateve të parashtruara, paketa në vetvete është një alibi për të mbuluar qëllimin e vërtetë të Edi Ramës, dënimin e qeverisë, sipas mentalitetit dhe pikëpamjes së tij. Ndërkohë që në të vërtetë dënimi është për shqiptarët,”- tha Gjana. Pak ditë më parë, Shqipëria nuk mori dritën jeshile për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Arsyeja kryesore lidhej me mungesën e konsensusit politik dhe për pasojë mungesën e miratimit të disa ligjeve të rëndësishme që kërkonin 3/5-at e votave. Të dyja forcat kryesore politike bënë përgjegjëse njëra-tjetrën për përmbajtjen e raportit, ndërkohë që Presidenti i Republikës kërkoi që palët të nisnin bashkëpunimin sa më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›