Topi: Sfida më e rëndësishme, lufta kundër korrupsionit
“Lufta kundër fenomenit të korrupsionit në vendin tonë mbetet një nga sfidat më të rëndësishme, por dhe nga më të vështirat, për ta luftuar në të gjitha format e saj me synim realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë, por dhe të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik në Bashkimin Evropian”. Kështu është shprehur presidenti Bamir Topi në një takim me Kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Adriatik Llalla.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës theksoi se “në një kohë kur lufta kundër korrupsionit është çështje themelore në aktivitetin publik dhe politik edhe të vendeve të rajonit, Shqipëria dhe institucionet e saj do të arrijnë të përballojnë të gjitha vështirësitë në luftën me pengesa kundër korrupsionit, për të arritur nivelet e standardet demokratike të vendeve të zhvilluara evropiane” duke shprehur dhe garantuar të pranishmit për të gjithë inkurajimin e mbështetjen institucionale në drejtim të luftës dhe çrrënjosjes së këtij fenomeni negativ.
Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, dhe drejtuesit e institucioneve homologe rajonale, pasi e falenderuan Presidentin Topi për pritjen dhe mbështetjen e pakursyer të Institucionit të Presidentit, e njohën me ecurinë e punëve të institucioneve që ata drejtojnë dhe strategjitë e përbashkëta të hartuara për parandalimin e konfliktit të interesit, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Zoti Llalla, duke vënë në dukje bashkëpunimin e vyer me partnerët ndërkombëtarë si dhe punën efikase të bërë deri më tani nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), në cilësinë e drejtuesit të “Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit,” shprehu bindjen se nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë faktorëve publikë, si edhe prezantimit të transparencës në nivele maksimale, ILDKP-ja do të jetë e aftë të realizojë qëllimin kryesor, forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.