Topi: Shpallja e pavarësisë, në prag
Presidenti i Republikës, Bamir Topi përfundoi dje vizitën treditore në Kosovë
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi përfundoi dje vizitën treditore në Kosovë. Dita e tretë të vizitës zyrtare e ka nisur me një vizitë në qytetin historik të Prizrenit. I shoqëruar nga zv.kryeministri Gazmend Oketa dhe delegacioni i lartë nga Shqipëria, presidenti Topi është pritur nga Kryetari i Komunës, Ramadan Muja dhe shumë qytetarë të mbledhur përpara Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, në pritje të mbërritjes së Kryetarit të Shtetit. Pasi është përshëndetur me qytetarët, presidenti Topi është shprehur i emocionuar nga mikpritja e prizrenasve. "Unë ndihem i nderuar, i respektuar, njëkohësisht edhe i emocionuar që jam këtu në Prizren, në një qytet tradicional historik, që në momentet më të rëndësishme për fatet e Shqipërisë, ka dhënë jo vetëm fijen e shpresës, por ka frymëzuar të gjitha shoqërinë shqiptare për t'u rigjallëruar, për t'u bashkuar dhe për t'i bërë ballë atij represioni që vinte nga qarqet e errëta. Sot jemi në një situatë tjetër kur të gjithë duhet të gëzohemi, sepse gjithë këto përpjekje madhore të shqiptarëve në dekada po kurorëzohen dhe jemi në pragun e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që është një lapidari i ri i përpjekjeve, por edhe i kurorëzimit me sukses të këtyre përpjekjeve". Më pas, presidenti Topi ka vizituar rezidencën e qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ka parë dokumentet origjinale të shpëtuara nga shkatërrimi që iu bë muzeut nga serbët, në 27 mars 1999, që rrëfejnë historinë e Lidhjes në themelimin e saj, në qershor të vitit 1878. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë Teuta Topi, ka bërë një vizitë ngushëllimi dhe nderimi në shtëpinë e ish-Presidentit të Kosovës në Velani, Ibrahim Rugova, ku është pritur nga bashkëshortja, fëmijët dhe familjarët e tij. Kreu i shtetit shqiptar, me anë të kësaj vizite në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të Doktor Rugovës, ka nderuar dhe vlerësuar veprën dhe rolin historik të udhëheqësit të Kosovës.