Topi: Shqipëria, Serbia dhe Kosova të kenë klimë bashkëpunimi
Presidenti Bamir Topi, gjatë një interviste për gazetën sllovene, "Dnevnik", ka deklaruar se Shqipëria, Serbia dhe Kosova janë shtete sovrane që duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për klimë bashkëpunimi, për një tjetër situatë në rajon dhe për integrim në familjen euroatlantike. Topi ka theksuar se Shqipëria sot, ndryshe nga vite më parë, ka një rol të qartë interlokutor në Ballkan. Për kreun e shtetit, Kosova ka qenë dhe mbetet një çështje sensitive në Ballkan. Shqipëria e konsideron Kosovën një shtet multietnik, me të drejta si çdo vend tjetër që ka shtetin, Kushtetutën dhe kufijtë e vet administrativë. Për idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, Topi ka theksuar se politika e institucioneve të Shqipërisë dhe politika e institucioneve të Kosovës respekton në mënyrë reciproke sovranitetin e vendeve respektive. "Ne vërtet jemi shumë të ndjeshëm, sepse pjesa dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë në Kosovë. Kjo vetëm do të ndihmojë në forcimin e raporteve të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe këto dy vende do të bashkohen në Bruksel. Aty do të bashkohen të gjitha vendet e Ballkanit. Dhe është një referencë shumë e qartë. Çdo gjë tjetër është hap prapa. Është kthim në konflikte, në tensione ndëretnike. Këtu rikthehemi në pyetjen tjetër që Bashkimi Europian është influent në këto marrëdhënie edhe nëpërmjet misionit EULEX", është shprehur Topi. Lidhur me pyetjen sesi e vlerëson Shqipëria marrëveshjen e Beogradit me misionin EULEX në Kosovë, Presidenti Topi është shprehur se "këtu është çështja e një stabiliteti të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës. Mendoj që tashmë ato e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Bashkimin Europian. Një gjë është e sigurt, sikurse thashë, që integriteti i Kosovës është i pacenueshëm, gjë që garantohet nga korniza kushtetuese dhe nga politika e BE-së". Më pas intervista e Presidentit Topi është përqendruar në zhvillimet politike në Shqipëri. Kreu i shtetit ka shprehur bindjen se BE shumë shpejt do marrë parasysh kërkesën e Shqipërisë për t‘u bërë vend anëtar i BE-së, sepse Shqipëria po punon për realizimin e reformave të nisura. Gjithashtu ai ka shprehur bindjen se BE do arrijë të unifikojë qëndrimin e saj për të vendosur liberalizmin e vizave për Shqipërinë. Kreu i shtetit ka komentuar edhe progres-raportin e fundit të KE-së për Shqipërinë, ku ka theksuar se raporti vërtet ka vërejtje, por ka edhe lëvdata, të cilat politika do të arrijë t‘i lexojë siç duhet, duke i kthyer në objekt kryesor të punës së saj, ndërkohë që qeveria do të intensifikojë luftën ndaj korrupsionit.