E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri turk, Davutoglu, nis vizitën në Tiranë

Turqia intensifikon marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, vjen sot në Shqipëri me ftesë të homologut të tij shqiptar, Ilir Meta. Shefi i diplomacisë shqiptare e ftoi ministrin e Jashtëm të Turqisë në takimin e ministrave të vendeve juglindore në Turqi. Shefi i diplomacisë turke do të takohet edhe me autoritetet e larta të vendit, ku një takim është rezervuar edhe në axhendën e Kryeministrit Berisha, i cili sapo është kthyer nga një takim zyrtar në Vjenë. Ministri turk, Davutoglu, gjatë qëndrimit në Tiranë do të mbajë një konferencë të përbashkët me ministrin Ilir Meta në selinë e Ministrisë së Jashtme. Takimi i delegacionit turk me atë shqiptar do të zhvillohet paraditen e sotme në orën 09:30 dhe më pas konferenca e përbashkët do të zhvillohet në orën 10:30. Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, pati rastin të ftonte në Shqipëri homologun e tij turk. Në takimin informal të ministrave të Jashtëm të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, SEECP, takim i cili organizohej nga shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, njëkohësisht President i radhës së kësaj nisme të rëndësishme rajonale, Meta nënvizoi rolin e spikatur të Shqipërisë, si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dimensionin e saj të ri si një vend anëtar i NATO-s dhe me një perspektivë të qartë drejt integrimit europian. Po kështu Meta theksoi se pas pavarësisë së Kosovës, rajoni është pasuruar me vlera demokratike dhe standarde të reja të sigurisë. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, ishte i pranishëm edhe në Samitin e 64-të të Asamblesë parlamentare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilin morën pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha dhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›