E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shqipëria, e angazhuar për t`u anëtarësuar në BE

Shqipëria këto dhjetë vitet e fundit ka regjistruar një rritje ekonomike mesatare vjetore 6 për qind; ka një inflacion të shënjestruar në kufijtë 3 plus minus 1 për qind; ka një kurs këmbimi fleksibël; ka një rrjet bankar tregtar të zhvilluar, ku operojnë 16 banka private, me 511 degë në mbarë Shqipërinë dhe një rrjet sigurimesh, të gjitha këto pronësi tërësisht, ose pjesërisht të kapitalit të huaj. Kështu është shprehur Presidenti i Republikës Bamir Topi në fjalën e tij të mbajtur në Samitin e 14-të Euro-Aziatik në Stamboll.

Kreu i shtetit pasi paraqiti një sërë arritjesh të Shqipërisë gjatë viteve të fundit theksoi se vendi ynë është i angazhuar t`i bashkohet BE-së për të cilën ka një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit që prej vitit 2009.
“Shqipëria nuk është bërë ende një destinacion madhor i turizmit, që rivalizon me vendet fqinjë, si Greqia dhe Kroacia. Megjithatë, Shqipëria karakterizohet nga një numër shumë i madh sitesh arkeologjike të qytetërimit iliro-romak, gjurmëve dhe kështjellave antike dhe mesjetare, parqe kombëtare, male dhe rezervate natyrore të mbrojtura, si dhe një bregdet prej 450 kilometrash” theksoi Topi.
Gjithashtu Topi theksoi se vitet e fundit, një zhvillim i rëndësishëm që shënjestron investitorët, ka qenë Ligji mbi Koncesionet, i cili synon krijimin e një rrjeti të favorshëm për promovimin dhe lehtësimin e vënies në jetë të projekteve të financuara privatisht në zhvillimin e infrastrukturës dhe fushave të shërbimit publik.

Më tej kreu i shtetit theksoi se Shqipëria është një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor ndërsa theksoi se vendi ynë ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë vendet fqinj dhe në veçanti me ato vende ku shqiptarët janë ura solide të miqësisë, si në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, etj.

“Tashmë vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si "fuçi baruti". Këto vende tani të ardhmen e tyre e shikojnë tek zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe tek integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni” përfundoi Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›