E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji ankohet në Strasburg për sekuestrot e Prokurorisë



Kërkuesi: Familja ime, e pasigurtë pas vendosjes së sekuestros

Bizneset e Delijorgjit, 600-700 milionë në muaj fitime

Mihal Delijorgji i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për sekuestrot e vendosura nga Prokuroria kundrejt pronave të tij, ndër të tjera edhe banesës ku jeton familja. Pasi ka pranuar kërkesën e të akuzuarit si shkaktar të tragjedisë së Gërdecit, Strasburgu i është drejtuar zyrës së agjentëve të shtetit shqiptar për të kërkuar më tepër informacion rreth objektit të kësaj kërkese. Burime të besueshme bënë të ditur për gazetën “standard” se kërkesa është depozituar nga Maks Haxhia, avokati i të pandehurit Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Albdemil”, i cili ka ngritur shqetësimin se klientit të tij i janë sekuestruar pasuritë me vendim gjykate përmes masës së sekuestros konservative, ndër të tjera edhe banesa ku jetojnë gruaja dhe fëmijët, duke e bërë të pasigurt jetesën e tyre. Sipas arsyetimeve juridike që ka dhënë avokati i Delijorgjit në kërkesën drejtuar kësaj gjykate të rëndësishme, sekuestrot e tij janë të paarsyeshme dhe nuk është marrë parasysh gjendja e familjarëve të tij. Sekuestros konservative i janë nënshtruar pasuri të tjera të patundshme dhe llogari bankare. Si llogari bankare në emër të Delijorgjit janë 900 mijë euro, ndërsa prokuroria ka kërkuar edhe sekuestron e 18 mijë metër katrorë truall, përfshi edhe ndërtimin në Shkozet në afërsi të Durrësit, si dhe rreth 11 mijë metra katrorë sipërfaqe të tjera toke dhe pallate banimi në zonën e ish-uzinës “Enver” në Tiranë. Sipas burimeve të besueshme, nga bizneset e Delijorgjit merret në muaj një fitim prej 600-700 milionë në muaj, ndërkohë që burimet shtojnë se këto të ardhura nuk preken. Mësohet se Gjykata e Strasburgut i ka komunikuar pranimin e kësaj kërkese shtetit shqiptar, të cilit i ka kërkuar më tepër informacione rreth sekuestros, gjendjes në të cilën ndodhet familja e Delijorgjit dhe nëse banesa e tij është nën sekuestro konservative, fitimet nga bizneset dhe rreziku që vjen pas vendosjes së sekuestros konservative nga Prokuroria me vendim gjykate. Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli akuzohen për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën mjaft të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›