E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Spahiu degraduan sistemin e drejtësisë – qeverimi i tyre, burimi i vrasjeve të gjyqtarëve dhe policëve

19-09-2012 / Gazeta 55

Në foltoren e Kuvendit, kryeministri Berisha i kujtoi opozitës, se sa kohë e kishte Topin në rrjetë, s’kërkoi ndryshime kushtetuese, pasi u interesonin partiçkat e tij. Lidhur me qeverimin e drejtësisë prej dyshes Topi-Spahiu, kryeministri kujtoi interesimin e Spahiut për lirimin e Ilir Xhakes dhe denoncimin e shtypit për interesimin e njerëzve të Topit për trashëgiminë në toka të Skerdilajd Konomit

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Kuvend gjatë diskutimeve për heqjen e imunitetit se, opozita u tregua kurajoze kur shmangu referendumin për heqjen e imunitetit, në një kohë kur mazhoranca ishte e vendosur të shkonte drejt tij si zgjidhja e fundit, në dorë të qytetarëve. Shefi i ekzekutivit tha se mazhoranca e ka ndërgjegjen e pastër në lidhje me përpjekjet për miratimin e këtij projektligjit, para dhe pas marrjes së pushtetit, ndërsa ka sjellë dhe njëherë në vëmendje rëndësinë e kësaj nisme, duke e konsideruar një akt madhor dhe në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. “Kjo është një seancë parlamentare e një rëndësie historike, seancë e cila sipas një ujdie paraprake do bëjë zhveshjen nga imuniteti të zyrtarëve të lartë, ashtu si dhe në vende të tjera të lira. Për mua personalisht kjo është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme, finalizimi i një beteje shumëvjeçare për finalizimin e këtij akti madhor kushtetues, nga i cili fiton çdo qytetar shqiptar, rendi kushtetues, Kushtetuta e vendit. Kjo histori 10 vjeçare është histori e gjatë, por më në fund u arrit të bihet dakord konsensualisht për tekstin e votuar. Ndihem i lehtësuar se kemi iniciuar këtë nismë që kur ishim në opozitë, e kemi vazhduar fort gjatë në kohës në pushtet pavarësisht konsensusit të munguar. Sot shqiptarët hedhin themelet e një kapitulli të ri në qëndrimin e zyrtarëve të tyre ndaj ligjit. Duke mos humbur asnjë herë durimin për të kërkuar konsensusin e opozitës, bëmë gjithçka për gjetjen e ujdisë me të. Drafti që paraqitëm vlerësuam se ishte më i miri, por më i miri është ai që votohet nga të gjitha palët. Opozita ka të drejtë në çdo rrethanë të kërkojë disa garanci më shumë se qeveria. I kërkova zotit. Paloka të bëjë të gjitha lëshimet në këtë drejtim. Dua t`ju falenderoj sot jo se po votoni, por nga të gjitha proceset demokratike për mua më i vështiri është referendumi, por këtë çështje madhore unë kisha vendosur të shkoja, sikur isha i vendosur të pranoja çdo lloj verdikti. Kjo u shmang, për këtë ju falenderoj” - u shpreh Berisha. Lidhur me propozimet e PS për reformën në drejtësi, Berisha ka ironizuar opozitën se s’ka rëndësi shumë ajo që flet, por ajo që bën dhe për çfarë besohesh. Duke u kthyer në retrospektivë, nisma e PS në mbrojtje të institucioneve të pavarura, sipas Berishës bie ndesh me emërimet në krye të institucioneve gjatë kohës që ata ishin pushtet, duke shtuar se faktet flasin të kundërtën. Sipas kreut të qeverisë, opozita i kërkoi ndryshimet Kushtetuese kur Bamir Topit i skadoi mandati i Presidentit. “Ju keni paraqitur një seri amendamentesh për reformën në drejtësi, ju pretendoni se shqetësimi juaj kryesor është pavarësia e këtyre institucioneve, por më duhet tu them se s`ka rëndësi shumë ajo që flet, por ajo që bën dhe për çka besohesh. Nëse i shohim gjërat jashtë propagande, ardhja juaj në pushtet çfarë vendosi në krye të institucioneve. Në rast se sot në krye të Kushtetueses gjendet një person që ka të njëjtën kurrikulum me zotin Majko për lëvizjen e dhjetorit, por që nuk numëron më pas asnjë ditë në parti, krahasojeni pak me kohën tuaj në pushtet. Nëse ju e krahasoni kryetarin aktual me Fehmi Abdiun, i cili ishte anëtar i kryesisë së PS. Po në gjykatën e lartë a nuk shkoi ish anëtari i PS dhe ish Ministër juaji, Thimio Kondi. Apo ish-ministrin tuaj zëvendës kryetar të KLD. Koncepti juaj ishte që çdo institucion të kishte në krye një lider të kësaj partie. Përse nuk e bëtë ju këtë 6 muaj më parë, përse nuk e bëtë 1 vit më parë, përse nuk e bëtë 2 vjet më parë apo kishit Topin me topin tjetër në krye të këtyre institucioneve. Por ai ju duhej, se ai po krijonte partinë  e tij, Topi po krijonte partinë  e vet, pavarësisht se Topi tani ju ka hyrë në qyp dhe ju po përpiqeni ta nxirrni nga qypi e të tjera me radhë. Pra sa të besueshëm jeni ju , kur tani që ju iku Topi, tani që ju iku faqeziu, tani bërtisni pavarësi e institucioneve? Rroftë pavarësia” - tha ai. Kryeministri Berisha gjithashtu akuzoi ish-presidentin Bamir Topi, ish-nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu për degradimin e sistemit të drejtësisë. “Por ju nuk jeni të besueshëm sepse qëndrimi juaj në periudhën e shkatërrimit, për të mos thënë e shpartallimit të sistemit të drejtësisë nga Topi juaj dhe faqeziu tjetër është periudha më e zezë. S’do të mund të flisja kurrë kështu, po të mos ishin faktet, se si ju u dystuat në një veprimtari të turpshme, në një veprimtari kriminale ndaj institucioneve të vendit, ndaj këtyre dy personave për faktin  e vetëm se ata punonin kundër meje dhe unë ju sodisja ju. Unë ç ‘është e vërteta, ju më lehtësonit mua se unë kisha përgjegjësitë  e mija dhe përgjegjësitë e mija ishin këto, që unë isha autori i propozimit të të dyve për ato vende. Por në qoftë se opozita do ti thoshte vetes opozitë, në qoftë se opozita ishte e vendosur dhe që besonte në parimet  e demokracisë, akti i parë që bënte kur këta zotërinj ato institucione të nderuara po i sillnin ashtu siç thoshte poeti ynë i nderuar Dritëro Agolli dikur, kur i transformuan në atë mënyrë, ju si opozitë duhet të ngriheshit fuqishëm të vendosnit qeverinë me shpatulla pas murit për ta, por ju ndanit trofetë e veprimtarisë së tyre shkatërrimtare, ju ndanit trojet dhe pronat me ta. Kjo është e vërtetë, pasi Topin e reformuan lejet e ndërtimit. Si e reformuat ju atë? Çfarë ndodhi sot në sistemin e drejtësisë, shkoni dhe flisni me gjykatës. Kam ndjerë dhimbje të mëdha kur raportet ndërkombëtare dëshmonin fakte të tilla se “për tu  transferuar nga Durrësi në Tiranë duhet të paguaje 50 mijë euro” Ato janë raporte ndërkombëtare të cilat ju i keni lexuar, por i mbani të fshehura në mediat tuaja. Në ato raporte thuhej se “për të ardhur nga një qytet tjetër në Tiranë duhej të paguaje 200 mijë euro. Dhe të gjithë këto janë raporte të ekspertëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar Shqipërinë” - tha më tej Berisha.
Duke iu referuar dy vrasjeve të bujshme, asaj të ish-gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi dhe vrasjes së Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, Kryeministri Sali Berisha artikuloi dje nga foltorja e Kuvendit disa akuza të rënda në adresë të ish-Presidentit Bamir Topi dhe ish kreut të KLD-së, Kreshnik Spahiu. “Ka qenë një nga ngjarjet më të dhimbshme atentati ndaj zotit Konomi, i akuzuari kryesor ishte Topi juaj në rrjetë. Nuk kam asnjë fakt, por Topi juaj u përfol si një nga njerëzit që kishte dashtë të grabiste tokat në atë zonë me lejtnantët e vet dhe e pat shumë të vështirë kur shkoi në familje”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›