Topi: Tadiç të ftohet në samitin e Malit të Zi

Presidenti Topi gjatë fjalës së tij të mbajtur në Ohër, ka sugjeruar që në takimin e ardhshëm që do të mbahet në Malin e Zi, të ftohet edhe presidenti serb, Tadiç.
Në një takim të zhvilluar me presidentët e Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, Topi sugjeroi presidentin maqedonas, për të ftuar në takimin e ardhshëm edhe Tadiç. “I sugjeroj mikut tim, Presidentit Vujanoviç që të ftojë edhe Presidentin Tadiç në takimin tonë të ardhshëm që do të mbahet në Mal të Zi.
Mund të mos biem dakord për gjithçka, por kemi çështje të rëndësishme me interes të përbashkët dhe Serbia nuk duhet t`u shmanget organizimeve rajonale”, u shpreh presidenti shqiptar. Në fjalën e tij ai theksoi ndër të tjera se bashkëpunimi mes Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi duhet të vazhdojë dhe të përfshijë vende të tjera.
Presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, vlerësuan aktivitet shumë të rëndësishëm tradicional duke theksuar se ky Takim III mes katër Krerëve të Shteteve, si dhe takimet dypalëshe ku shprehen mendimet e sugjerimet e tyre për rritjen dhe thellimin e bashkëveprimit, do të jenë patjetër një kontribut i dobishëm në funksion të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes katër vendeve fqinje, në përmbushje të interesave të ndërsjella politike, ekonomike, etj.
Ky takim shërbeu gjithashtu për përforcimin e një imazhi pozitiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ritheksoi dedikimin dhe vendosmërinë e përbashkët në interes të forcimit të bashkëpunimit rajonal, përparimit ekonomik, për të përballuar së bashku probleme, kriza dhe sfida, si dhe për të koordinuar nismat e mëtejshme e qëndrimet e përbashkëta mbi çështje rajonale e globale.