Topi: Të angazhuar për integrimin pavarësisht debateve

Kreu i shtetit Bamir Topi ka deklaruar se Shqipëria ka arritur të përmbushë standardet kryesore për anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë është e vetëdijshme se sfidat që duhet të përballojë, janë ende të mëdha. Në një takim me ministrin e jashtëm të Malit të Zi Milan Rocen, kreu i shtetit ka theksuar se pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, klasa politike dhe shteti shqiptar janë të fokusuar dhe maksimalisht të angazhuar ndaj politikave madhore të integrimit ndërsa shtoi se vendi ynë është optimist që marrja e statusit kandidat nga Shqipëria për në BE do të ndodhë në një moment kohor të afërt.
Në vijim të takimit bashkëbiseduesit u ndalën në klimën dhe mundësitë e bashkëpunimit në rajonin ballkanik, sidomos sa i përket evoluimit dhe konkretizimit të projekteve të ndryshme të zhvillimit ekonomik në fusha si infrastruktura e përbashkët, turizmi, ekosistemi, etj. Presidenti Topi vlerësoi transformimet e prekshme pozitive të viteve të fundit në rajonin tonë, duke vënë në dukje rolin moderator e konstruktiv të faktorit shqiptar në këtë drejtim, gjë për të cilën ra dakord edhe Ministri malazez Roçen. “Ne kemi një perspektivë të qartë e të përbashkët euroatlantike”, – u shpreh Kryetari i Shtetit “dhe kjo na shërben si një motiv dhe si një ndër shtyllat kryesore të bashkëpunimit dhe të komunikimit mes vendeve dhe popujve të Ballkanit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të paqtë, të sigurt e të begatë”.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm dhe i Integrimit Evropian i Malit të Zi, Milan Rocen, vuri në dukje nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të vendeve të Ballkanit me synim përmbushjen e aspiratave integruese të vendeve tona në strukturat euro-atlantike. Ministri Rocen nënvizoi dhe vlerësoi lart jo vetëm rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, por edhe rolin konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik mes udhëheqësve rajonalë me synin zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e përbashkët në gjirin e familjes së madhe evropiane duke shkëmbyer përvojat e vlefshme pozitive.