Berisha: Pres çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve
Kryeministri Berisha ka vlerësuar vendimin e dhënë nga Kolegji zgjedhor për të lënë në fuqi rezultatin e dalë nga KQZ për Tiranën ku u shpall fitues Lulzim Basha ndërsa ka shtuar se prêt me padurim çertifikimin e rezultatit.
Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se vendimi I Kolegjit zgjedhor tregon funksionimin e shtetit ligjor.
“Shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve që një shoqëri të mbetet e lirë, që qytetarët të gëzojnë të drejtat e tyre. Vendimi ishte legjitim e nuk mund të ishte tjetër, jo pse e them unë, po s’ka asgjë më legjitime se në kohën e duhur të numërosh votat e qytetarëve. Ka një filozofi të lirisë, e cila dikton numërimin e cdo vote, ku qëllimi është i shprehur qartë. Çdo votë Basha-Rama u paraqit në televizor dhe kjo është një arritje e demokracisë ku vota e çdo shiptari lexohet dhe paraqitet në mediat e mbarë kombit” theksoi Berisha ndërsa shtoi se filozofia e lirisë është ajo që dikton numërimin e çdo vote.
Kryeministri Berisha gjithashtu deklaroi se pret çertifikimin e rezultatit për Tiranën nga institucionet për të nisur një partnerit të ngushtë, të frutshëm me të gjitha qeveritë vendore të vendit.
“Qeveritë vendore janë të kushtëzuara kryekëput në projektin e tyre dhe ky kushtëzim vjen nga ëndrra e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvillluar aty ku jetojnë qytetarët e këtij vendi dhe ky është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme. Unë dëshiroj që t`i shndërroj këto vite, në vitet e bashkëpunimit më të frutshëm me qëllim që të zhvillojmë çdo qoshe të këtij vendi” theksoi më tej Berisha.
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot fitoren e së djathtës në Portugali. Sipas tij partia fituese e zgjedhjeve është një aleate e Partisë Demokratike në Shqipëri. Berisha përshëndeti gjithashtu edhe fitoren e Nikola Gruevskit në Maqedoni. “Kjo parti ka marrëdhënie të shkëlqyera me Partinë Demokratike. Përshëndes edhe forcat politike shqiptare që hynë në këto zgjedhje me një akord të përbashkët e me një kod sjelljeje”, u shpreh Berisha.