E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtim Puto: Votat e gabuara mund të ankohen në Kushtetuese

Kujtim Puto mendon se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje për çështjen e votave të hedhura në kutitë e gabuara, sepse, sipas tij, bëhet fjalë për një problem që është me rëndësi për palët dhe për opinionin publik. Shqyrtimi i këtij rasti në Kushtetuese duhet të bëhet kur të ketë mbaruar procesi vendimmarrës nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, argumenton Puto për DW. “Për faktin se sipas nenit 134 të Kushtetutës, si dhe me atë nen që përcakton se cili subjekt dhe individ e vë në lëvizje këtë Gjykatë. Individët në këtë rast janë partitë, deputetët ose kryetarët e bashkive, ku thuhet se Gjykata Kushtetuese shqyrton çdo ankesë të individëve kur ka pretendime për një proces jo të rregullt ligjor. Mendoj se nuk ka asnjë pengesë që çështja të shkojë Kushtetuese dhe ajo të investohet për këtë.” Ndërkaq Artan Hoxha, nga Instituti i Studimeve Bashkëkohore, e shikon këtë variant si teorik. “Teorikisht çdo kush mund të bëjë ankesa në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri apo në Gjykatën e Strasburgut, që i janë shkelur të drejtat themelore. Kjo më duket një mundësi teorike, pa asnjë efekt në rezultatin zgjedhor nga Kolegji Zgjedhor. Por mund t`i shërbejë përmirësimit të sistemit zgjedhor në të ardhmen”. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Puto, këmbëngul se për nga natyra e këtyre çështjeve me karakter politik dhe kushtetues, organi më kompetent duhet të jetë Gjykata Kushtetuese. “Sepse kjo Gjykatë dhe anëtarët e saj kanë garanci më të mëdha për gjykimin me objektiv dhe të paanshëm të çështjeve” thotë ai për DW.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›