“Tirana”, Ngjela: Topi t’i drejtohet Komisionit të Venecias
Ngjela për Presidentin: “Presidentit të Republikës i bie barra të kërkojë që Komisioni i Venecias të dërgojë ekspertët e vet të japin mendimin përfundimtar për këtë çështje”.
TIRANË Për Spartak Ngjelën, beteja nuk ka përfunduar. Por ndryshe nga këshillat e fundit të konstitucionalistëve, që rekomandojnë Gjykatën Kushtetuese për rezultatin e Tiranës, ai i kërkon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të ndërhyjë.
“...Presidentit të Republikës i bie barra të kërkojë që Komisioni i Venecias të dërgojë ekspertët e vetë të japin mendimin përfundimtar për këtë çështje”, - tha dje Ngjela. Kryetari i PLD- së shtoi se në të njëjtën kohë duhen ndjekur të gjitha hapat ligjore në Kolegjin Zgjedhor. Kërkesa e Spartak Ngjelës, drejtuar Presidentit të Republikës, duket se do të hapë një spirale të re debati mes juristësh. Pak ditë më parë, Eduard Kukan, Kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jug-Lindore, sugjeroi asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor, në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika. I të njëjtit mendim ishte edhe Partia Socialiste, ndërkohë që Partia Demokratike e kundërshtoi duke argumentuar se hallka e vetme pas Kolegjit mbetet Strasburgu. Megjithatë Presidenti i Republikës, për të cilin kërkon ndërhyrje Ngjela, është një nga institucionet, që i drejtohet Komisionit të Venecias. Sipas praktikës së njohur tashmë, Komisionit të Venecias mund t’i drejtohet Presidenti i Republikës, Kryeministri, Ministri i Drejtësisë me autorizimin të Kryeministrit, Kryetari i Parlamentit dhe Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit vetëm në rastin kur ka në dorë të gjykojë një çështje. Kërkesa për këshillim nga Komisioni i Venecias, në fakt edhe pse një kërkese të bërë nga të huajt, duket se nuk do të shërbente si zgjidhje për rastin konkret. Edhe në rastin më të mirë, nëse Komisioni i Venecias do të pranonte të shqyrtonte një kërkesë, që mund t’i vijë nga institucionet e duhura, këshillimi i saj do të zgjaste disa muaj. Nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi i Presidentit, në rast se me kërkesën paraprake të Ngjelës, opozita po i paraprin një kërkese zyrtare. Deri më tani, Presidenti i Republikës është shprehur se mbështet punën e pavarur të Kolegjit Zgjedhor. Dy ditë më parë, në një konferencë për shtyp, kryetari i PS-së, Edi Rama kërkoi domosdoshmërinë e një ekspertize ndërkombëtare, duke theksuar se nuk do të pranonte vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Ky i fundit vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së bërë nga Partia Socialiste, për shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit numër 709, datë 23 maj 2011 të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i trupit gjykues, Tom Ndreca, lexoi vendimin e marrë nga Kolegji, ndërsa deklaroi se pushohet edhe gjykimi i çështjes me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme nga pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vendimi i plotë pritet që të zbardhet nga Kolegji vetëm sot.