Topi: Të bëhet transparenca e financimeve të partive
Kreu i shtetit Bamir Topi i ka bërë apel partive politike që në zbatim të ligjit të bëjnë transparencën e financimeve gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në një takim me përfaqësues shqiptarë të Organizatës botërore kundër korrupsionit “Transparency International” kreu i shtetit apeloi edhe njëherë për nevojën e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike.
Duke iu referuar situatës politike në vend, Topi theksoi se është i domosdoshëm prezantimi i alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme.
Gjithashtu kreu I shtetit duke iu referuar incidenteev të fundit theksoi se është e nevojshme shmangia e dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore.
“Dhuna vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre” theksoi Topi.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e “Transparency International Albania”, shprehën gjithashtu dëshirën për realizimin e zgjedhjeve vendore të drejta e të qeta.
Ndërkaq, nisur nga raportet tashmë të hartuara prej tyre mbi gjendjen e financimeve të partive politike, përfaqësuesit e TIA-s vlerësuan ndryshimet në ligjin mbi partitë politike kryesisht për financimet, por theksuan se këto ndryshime ende nuk japin garancinë e transparencës së kërkuar për burimet financiare të partive politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.