Topi: Të hënën mblidhet KLD-ja. Zgjedhja e nënkryetarit, e drejtë e presidentit
Presidenti Bamir Topi, që ka qenë i pranishëm në Korçë për festën e Pashkës, i pyetur nga mediat, ka folur edhe për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLD-së, Elvis Cefa. Presidenti nuk ka komentuar shumë atë që ndodhi në parlament, ndërsa pohoi se e drejta e zgjedhjes së zëvendëskryetarit të KLD-së, i përket Presidentit të Republikës.
Nuk më takon të komentoj për debatet në parlament.Mbledhja e KLD-së do mbahet të hënën me rend dite të përcaktuar e atje do vlerësohet sipas procedurës edhe kandidati i votuar nga Kuvendi. Ndërsa zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së është prerogativë e Presidentit të Republikës, ka thënë presidenti Topi.
Në lidhje me mbledhjen e së hënës, Presidenca ka bërë një sqarim, duke thënë se, të hënën KLD do të njoftohet zyrtarisht sipas ligjit për zgjedhjen nga Kuvendi të Elvis Cefës si anëtar i ri i KLD-së. Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës do të propozojë për nënkryetar të KLD-së, një prej anëtarëve të KLD-së.