Topi: Të zbardhet ngjarja e 21 janarit

Presidenti Topi ka reaguar sot për situatën politike në vend duke u shprehur i shqetësuar për të ardhmen e vendit.
Në një deklaratë për shtyp kreu i shtetit ka dënuar aktet e dhunës në 21 janar dhe ka theksuar se me këto ngjarje u shkel rëndë ligji prandaj shkelësit e tij duhet të ndërshkohen.
“Në një vend demokratik shkelja e ligjit dënohet dhe shkelësit e tij, cilëtdo qofshin ata, ndëshkohen. 21 janari errësoi shoqërinë dhe demokracinë shqiptare, prandaj kërkesa për ta zbardhur dhe nevoja për transparencë ligjore të saj është përparësi e shtetit, drejtësisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve të rendit e ruajtjes së tij. Por transparenca e shpejtë kërkon një bashkëpunim dhe respekt reciprok të të gjitha këtyre hallkave, qartësisht të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë. Nje vend quhet demokratik jo sepse ka dhe ka zgjedhur apo ka krijuar Prokurorinë, Gjykatat, Shërbimet Inteligjente dhe Policinë e Shtetit, por sepse në praktikën e tyre, të sanksionuar me ligj, janë sa të pavarura aq edhe të ndërvarura, në punën e tyre për të siguruar rendin dhe qetësinë e qytetarëve janë sa të lira aq edhe të detyruara t’i shërbejnë njëri-tjetrit, janë sa përgjegjëse aq edhe të barabarta përpara ligjit dhe shtetit ligjor. Një shtet ligjor, mbetet i tillë kur transparenca dhe bashkëpunimi i këtyre hallkave nuk pengohet, cilatdo qofshin motivet e saj, dhe drejtësia vendoset.
Ai gjithashtu ka kërkuar angazhimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje.
“Në emër të Kushtetutës dhe të ligjit kërkoj bashkëpunimin e menjëhershëm, të pakushtëzuar e profesional të këtyre strukturave për të bërë transparencën dhe lehtësuar gjykimin e pavarur të shkaqeve dhe pasojave të kësaj dite të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët! Të mos harrojmë se padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë gjithëkund” shtoi më tej kreu i shtetit.
Duke e cilësuar situatën politike në vend si një nga krizat politike më të vështira të tranzicionit tonë demokratik kreu i shtetit theksoi se që në fillimin e kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka funksionuar në të shumtën e rasteve gjysmë-plot apo gjysmë-bosh, duke cënuar mekanizmin e funksionimit pluralist të një tribune ku sytë, mendjet dhe interesat e qytetarëve presin të gjejnë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre.
“Ka po aq kohë që debati parlamentar pluralist është spostuar në rrugë, në tribuna, në foltore partish, në studio televizive, gazeta të varura apo të pavarura, duke harruar detyrimin politik dhe përgjegjësinë qytetare që partiakët apo politikanët bëhen deputetë apo ligjëvenës nëpërmjet zgjedhjeve, për t’u shërbyer atyre në procesin e ligjëbërjes sa më të mirë për shoqërinë dhe jo për t’u ofruar atyre arena betejash dhe skena politike të padenja dhe të pavlera për një vend dhe shoqëri të civilizuar. Kjo mungesë e theksuar e përgjegjshmërisë politike dhe legjislative ka vonuar reformat e rëndësishme që ne duhet të kryejmë, ka shkaktuar pengesa në plotësimin dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ka ndikuar negativisht në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian” theksoi më tej Topi.
Ai gjithashtu shprehet i shqetësuar për mungesën e dialogut politik në vend dhe i ka bërë palëve të ndërgjegjësohen për qetësimin e situatës dhe zgjidhjes së konfliktit politik që sipas tij po mban peng integrimin e vendit.
“Opozita politike dhe mazhoranca në Shqipëri qëndrojnë aq larg në pozicionet e tyre politike sa bashkëpunimi, ndërveprimi dhe dialogu në interes të vendit duket shumë i largët, edhe sot mbas 21 janarit. Jam shumë i shqetësuar mbi mungesën e deritanishme të komunikimit dhe të dialogut politik mes dy forcave kryesore politike. Mendoj dhe shpresoj se ngjarja tragjike dhe pasojat e saj negative për fatet e vendit dhe të demokracisë do të ndërgjegjësojnë, përgjegjësojnë mendjet e nxehura të politikës mbi domosdoshmërinë e qetësimit të situatës, gjetjes së kompromisit dhe zgjidhjes së konfliktit politik që po e mban pezull integrimin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij” theksoi Topi.