E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e '97. Policia arreston autorin e vrasjes së taksistit

Policia zbardh autorët e vrasjes tragjike të ndodhur më 5 maj 1997, në rrugën nacionale Berat-Polican. Arrestohet 30 vjecari Edmond Xhelaj, ndërsa shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Ata akuzohen për vrasjen e Rauf Dokos në atë kohë taksist. 

BERAT-  “Vjeshta e fundit”, ky është operacioni i policisë së qarkut të Berat që bëri të mundur arrestimin e autorit të vrasjes së ndodhur më 5 maj të 1997. Edmond Xhelaj, 30 vjec, lindur e banues në Uznovë, Berat është arrestuar sot nga forcat blu nën akuzën e vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 25 të kodit penal. Prokuroria e Beratit në bashkëpunim me policinë kishte rifilluar hetimet në lidhje me vrasjen e Rauf Doko, në atë kohë me punë taksist në rrugën nacionale Berat-Polican. Sipas hetimeve ngjarja kishte ndodhur 9 vjet më parë, kur Edmond Xhelaj në bashkëpunim me dy persona të tjerë rreth orës 12.00 kishin prenotuar si taksi viktimën Rauf Doko dhe kishin lëvizuar me mjetin e këtij të fundit nga qyteti i Policanit për në drejtim të Beratit. “Rrugës shtetasi Edmond Xhelaj në bashkëpunim me dy personat e tjerë kanë kryer vrasjen e taksistit Rauf Doko duke e hedhur kufomën në anë të rrugës dhe më pas kanë braktisur mjetin e tij”- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë sot për mediat nga Policia e Shtetit. Ndaj 30 vjecarit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat me vendimin e datës 07.11.2008 kishte vendosur masën e sigurimit arrest në burg. Në lidhje me këtë ngjarje priten arrestime të tjera të bashkepuntorëve të tij.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›