E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Vujanoviç: Bashkëpunim mes dy vendeve në proceset euro-atlantike

Shqipëria dhe Mali i Zi paraqesin qëllime dhe interesa të njëjta sa i përket aspekteve integruese euro-atlantike dhe në këtë objektiv bazohet edhe intensifikimi i raporteve mes dy vendeve. Kjo eshte theksuar gjatë një konference të përbashkët për shtyp të presidentëve e të dyja vendeve fqinje në Pallatin Presidencial në Malin e Zi.
Bamir Topi, ashtu edhe Vujanoviç kanë theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi, në kuadrin e procesit të integrimit dhe raporteve rajonale, do të thellojnë bashkëpunimin në disa sfera si dhe në zbatimin e projekteve të përbashkëta, sidomos përsa i përket zhvillimit të infrastrukturës rrugore.
Presidenti Topi, i shoqëruar nga një delegacion, nisi vizitën e parë zyrtare dy ditore në shtetin fqinj, me ftese të homologut të tij malazez, me të cilin pati dhe takimin e parë. Nga ana e tij, Vujanoviç ka vlerësuar anëtaresimin e Shqipërisë në NATO në muajin prill të këtij viti dhe sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, ai tha se Mali i Zi është një hap përpara saj, por është i gatshëm që përvojën e tij ta ndajë me të. "Në këtë drejtim, një projekt i një rëndësie të veçantë është ai i bashkëpunimit të ngushtë mes dy ministrive përkatëse të transportit ku ne do të arrijmë të përfundojmë rrugën Plavë-Podgoricë për ta lidhur atë me pjesën tjetër drejt jugut, drejt Shqipërisë", tha ai.
Ndërsa Presidenti Topi tha se një projekt i rëndësishëm është ai i rrugës Adriatiko-Joniane, sipas të cilit kjo do të do të jetë një arterie shumë e rëndësishme për t'i dhënë jetë një komunikimi më intensiv të njerëzve dhe të mallrave dhe patjetër për ta bërë edhe zhvillimin e turizmit në mënyrë shumë integrale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›