Topi-Wollfarth: Zgjedhjet do të mbahen në 8 maj
Kreu i shtetit Bamir Topi është takuar sot me kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth. Takimi i kërkuar nga vetë kreu i shtetit është përqendruar veçanërisht në përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara nga vetë presidenti më 8 maj 2011.
Sipas njoftimit të presidencës Presidenti Topi, theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve për ripërtëritjen e përfaqësuesve të organeve drejtuese të pushtetit vendor. Gjithashtu Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese më 8 maj 2011 duke u bërë thirrje partive politike që t`i vlerësojnë ato me seriozitet maksimal.
Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi faktin se ka qenë dhe vazhdon të mbetet në sintoni të plotë edhe me apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar që partitë politike në vend të marrin të gjitha masat e duhura dhe të plotësojnë detyrimet kushtetutese dhe ligjore për mbajtjen e suksesshme të këtyre zgjedhjeve.
Në këtë kuadër, Presidenti Topi përsëriti mesazhin e tij të shprehur edhe më parë, duke theksuar se “vazhdimi i axhendës integruese evropiane të Shqipërisë si dhe përmbushja e suksesshme e projekteve madhore që ka ndërmarrë vendi ynë, shtrojnë si domosdoshmëri që këto zgjedhje të mbahen në afatin e përcaktuar ligjor, që infrastruktura zgjedhore të jetë plotësisht e ndërtuar dhe funksionuese, që të jenë të lira, të ndershme e të drejta duke mos humbur më kohë të vyer, siç ishte tejkalimi i afatit të 8 shkurtit për emërimin e komisionerëve të KZAZ-ve, sepse askush nuk duhet të ketë iluzione për shtyrjen e mundshme të tyre.”
Nga ana e tij, Ambasadori Wollfarth shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi duke ndarë me të të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm dhe sipas afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Wollfarth nënvizoi domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku zgjedhjet vendore për të mos humbur më kohë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e standardeve demokratike.
Ndërkohë tre anëtarët e opozitës nuk po marrin pjesë në mbledhjet e KQZ-së ndërsa PS-ja dhe PBDNJ ende nuk kanë paraqitur emrat për anëtarët e KZAZ-ve në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.