Topi takohet me Volfart

Dy zyrtarët kanë zhvilluar një bisedë të përqendruar veçanërisht në përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara nga kreu i Shtetit më 8 maj 2011.
“Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në demokratizimin e institucioneve shqiptare, forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në kuadër të mbarëvajtjes e proçeseve zgjedhore në vend. Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës, theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve për ripërtëritjen e përfaqësuesve të organeve drejtuese të pushtetit vendor. Gjithashtu kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese më 8 maj 2011 duke u bërë thirrje partive politike që t’i vlerësojnë ato me seriozitet maksimal”, thuhet në faqen e Presidencës.
“Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi faktin se ka qenë dhe vazhdon të mbetet në sintoni të plotë edhe me apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar që partitë politike në vend të marrin të gjitha masat e duhura dhe të plotësojnë detyrimet kushtetutese dhe ligjore për mbajtjen e suksesshme të këtyre zgjedhjeve. Në këtë kuadër, Presidenti Topi përsëriti mesazhin e tij të shprehur edhe më parë, duke theksuar se ‘vazhdimi i axhendës integruese evropiane të Shqipërisë si dhe përmbushja e suksesshme e projekteve madhore që ka ndërmarrë vendi ynë, shtrojnë si domosdoshmëri që këto zgjedhje të mbahen në afatin e përcaktuar ligjor, që infrastruktura zgjedhore të jetë plotësisht e ndërtuar dhe funksionuese, që të jenë të lira, të ndershme e të drejta duke mos humbur më kohë të vyer, siç ishte tejkalimi i afatit të 8 shkurtit për emërimin e komisionerëve të KZAZ-ve, sepse askush nuk duhet të ketë iluzione për shtyrjen e mundshme të tyre’”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Nga ana e tij, Ambasadori Volfart shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi duke ndarë me të të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm dhe sipas afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart nënvizoi domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku zgjedhjet vendore për të mos humbur më kohë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e standardeve demokratike”, thuhet në njoftim.