E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmetaj: Më 18 shkurt demonstratë për vjedhjet

Partia Socialiste u ka bërë sërish sot apel qytetarëve që të marrin pjesë në demonstratën e datës 18 shkurt kundër regjimit të kusarëve dhe të matrapazëve të cilët qeverisin vendin.
Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se qytetarët nuk mund të pranojnë më një regjim që është i gatshëm të vrasë për të vjedhur shqiptarët.
Ai ka theksuar se janë 1 milionë të papunë dhe gjysmë milioni që jetojnë në kushtet e varfërisë, prandaj dhe demonstrata duhet të ketë si qëllim frenimin e kusarisë.
“Në një kohë që mbi 500 mijë shqiptarë jetojnë nën pragun e varfërisë dhe 1 milion të tjerë janë të papunë, Sali Berisha ka vendosur t’i varfërojë ata dhe më tej duket plaçkitur pasurisë e fundit publike që i kanë mbetur këtij populli. Prandaj, të premten në 18 shkurt shqiptarët do të demonstrojnë me vendosmëri për të ndalur dorën e kusarëve e matrapazëve që sot sundojnë këtë vend”, tha Ahmetaj.
Gjithashtu Ahmetaj ka theksuar se situata ekonomike paraqitet edhe më e rëndë pas shtrenjtimit të ushqimeve dhe barnave ndërsa Sali Berisha vazhdon axhendën e tij të kusarisë.
“Prandaj, të premten në 18 shkurt, shqiptarët do të demonstrojnë paqësisht dhe me vendosmëri kundër këtij regjimi që në emër të vjedhjes e plaçkitjes është i gatshëm të marrë jetë shqiptarësh të pafajshëm”, shtoi më tej Ahmetaj.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›