Topi: Zgjedhjet e 8 Majit, realizuan progres për standardet
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, vlerëson se zgjedhjet e 8 Majit shënuan një progres në standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Gjatë një deklarate për mediat, kreu i shtetit vlerëson pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare ditën e zgjedhjeve ndërsa thekson se zgjedhësit shqiptar dëshmuan maturi dhe ndjeshmëri për t`u dhënë të gjithë besimin dhe integritetin e nevojshëm procesit zgjedhor.
Topi tha se 8 Maji ishte një ditë normale votimi.
“Qytetarët e thanë fjalën e tyre, e shprehën vullnetin e tyre, bënë zgjedhjet më të mira për ta. Ndërkohë që tani është përgjegjësia politike e administrimit bipartiak të zgjedhjeve, që të dëshmojë vullnet të qartë politik për të respektuar votën qytetare. Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit”, theksoi Topi.
Më tej, presidenti u kërkoi publikisht partive politike dhe përfaqësuesve të tyre zgjedhorë, si dhe institucioneve ligjore të përfshira në proces, që me transparencë, shpejtësi dhe përgjegjësi të përmbyllin procesin e administrimit të votave. /abcnews/