E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi apelon Qytetare merrni ne dore fatin e zgjedhjeve

”Të dielën me 8 maj në mbarë vendin qytetarët janë të ftuar të votojnë për organet e reja drejtuese të pushtetit vendor. Për herë të gjashtë në 20 vjet ju keni të gjithë pushtetin dhe hapësirën e nevojshme për të vendosur me votën tuaj për qeverisjen lokale të katër viteve të ardhshme”.

Me këto fjalë nis mesazhi publik që kreu i shtetit ka drejtuar për ditën e zgjedhjeve vendore.

“Në ditët, muajt dhe vitet që vijnë, ju me të drejtë do të kërkoni të keni cilësi më të lartë jetese; qytete dhe komuna më të zhvilluara, më shumë vende pune, shkolla e kopshte; më shumë rrugë të reja e infrastrukturë moderne; më shumë siguri ekonomike dhe sociale, më shumë transparencë në vendimmarrje dhe politikë qytetare.

Arritja e tyre nuk është e lehtë: kërkohet punë e përkushtim, mirëqeverisje dhe mbajtje e premtimeve, burime financiare dhe njerëzore të mjaftueshme dhe pjesëmarrje aktive e vetë qytetarëve”, shton ai.

Duke pohuar ndër të tjera se hapi i parë për jetësimin e tyre, është verdikti kushtetues përmes votës së fshehtë me 8 maj, jashtë çdo ndikimi pengues për kandidatët dhe partitë politike që ju besoni më shumë.

“Është zgjedhje për ju, për familjet tuaja, për komunitetin ku jetoni dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore. 8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes evropiane.

Bashkë me ju kemi ndjekur shqetësimet që lidhen me retorikën e ashpër elektorale, problemet me debatet midis kandidatëve, mangësitë në programe apo incidente dhune, me ndikim direkt ose indirekt negativ në klimën zgjedhore.

E di se ashtu si unë edhe ju do të kishit dashur që ato të ishin evituar, që fushata të ishte tërësisht e qetë, një garë vlerash demokratike, ku respektohet mendimi i tjetrit dhe alternativa e tij, ku interesi publik ngrihet mbi atë partiak dhe ku zgjedhjet shihen e pranohen si normalitet demokratik”, pohon ndër të tjera Topi.

Duke përfunduar se “ju dhe vetëm ju keni në dorë forcën morale e ligjore për ta shndërruar 8 majin në ditë suksesi për demokracinë në Shqipëri!

Ato janë zgjedhjet tuaja, bëhen për ju, kërkojnë fjalën tuaj dhe meritojnë respektin tuaj maksimal!”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›