Topi dekoron 4 regjizorë: Do mbeteni në memorien e kombit
Presidenti Bamir Topi ka dekoruar sot 4 regjizorë të njohur të skenës shqiptare. Në fjalën e tij kreu i shtetit ka theksuar se shqiptarët u janë mirënjohës regjizorëve për veprën që kanë lënë.
“Këta regjizorë janë historia e regjizurës dhe televizionit shqiptar. Xhesti im është institucional dhe i takon cilido që është në këtë pozicion të vlerësojë ata njerëz që e kanë meriatur këtë çmim. Është një çmim që ju e ndatë me kolegët, familjen, sepse asgjë në këtë botë nuk realizohet i vetëm” ka theksuar Topi.
Ai ka theksuar se regjizorët do të qëndrojnë në memorien e bukur të kombit pasi ditën të bëjnë një revolucion në ato institucione që ishin të injektuara me shumë ideologji.
“Ju ditët që të ngrinit profesionit tuaj dhe sot të nderoni për modernizimin që i kemi bërë këtyre institucioneve në linjë e spektaklit televiziv dhe në filmat artistik. Gjërat nuk vijnë menjëherë por të një rruge hap pas hapi dhe ju jeni pjesë e kësaj rruge” ka theksuar Topi.
Kreu i shtetit ka dekoruar sot me urdhërin “Mjeshtër i Madh” regjizorët Vera Grabocka, Vladimir Prifti, Albert Minga dhe Pali Kuke.