Topi dekoron firmëtarët e Pavarësisë, Ismail Qemalin dhe e shpall qytetin e Vlorës Nderi i Kombit
Presidenti Bamir Topi i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi sot paradite në kuadër të festimeve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, një vizitë pune në qytetin e Vlorës ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, nga Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, nga deputetë dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor si dhe nga shumë qytetarë vlonjatë.
Duke folur përpara të pranishmëve, Topi tha se e shpall Vlorën Nderi i Kombit.
Ky shekull i historisë sonë, që nga 28 nëntori i vitit 1912 e deri më sot, ka qenë i tejmbushur me sfida titanike për liri e pavarësi, për ruajtje kufijsh e territoresh, për ekzistencë jo vetëm gjeografike, por edhe për përkatësi politike e strategjike. Ky shekull i pafund pavarësie është vaditur me gjak e djersë e me mundime; është përjetuar me vuajtje, dëbime e rikthime, copëtime e ndarje, mërgim e vetizolim; është përshkuar nga përpjekje vetëmohuese, luftëra çlirimtare, nga tallaze e fitore, nga përçarje ideologjike e nga ribashkime, nga regjime mbretërore apo totalitare demokratike-popullore, nga luftë klasash e sërish demokraci perëndimore, por filli që i ka qëndisur gjithë këto ngjarje historike ka qenë gjithmonë ai i ngjyrave kuq e zi: filli identifikues i frymës së atdhedashurisë shqiptare, i ruajtjes dhe lartësimit të vlerave kombëtare, i gjuhës së ëmbël e të lashtë që na dallon, i zakoneve dhe tipareve të veçanta që na bashkojnë, i besës dhe burrërisë shqiptare që na karakterizojnë si dhe i vizionit dhe orientimit pro-evropian që na frymëzojnë, tha Topi.
Presidenti tha se asnjë qytet tjetër në Shqipëri nuk i shpalos më mirë e më thekshëm se Vlora jonë të gjitha vlerat, përpjekjet, lëngimet shpirtërore e politike, humbjet dhe fitoret historike të kombit tonë përgjatë këtij shekulli. Prandaj, në kuadër të këtij viti jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë sonë të merituar, kam nderin dhe privilegjin ta shpall Vlorën dhe njëkohësisht edhe qytetarët e vjetër e të rinj të saj: Nder i Kombit!
Presidenti ka dekoruar edhe firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë dhe Ismail Bej Vlorën.
Presidenti u shpreh: Nën frymën e vlerësimit të të gjithë atyre atdhetarëve që luftuan, shkrinë jetën, dijet dhe pasuritë e tyre për këtë truall, për këtë komb e për këtë flamur, dëshiroj tu jap titullin e lartë të gjithë firmëtarëve që shkruan përjetësisht emrat e tyre të nderuar në Deklaratën e Pavarësisë: Nder i Kombit.
Ndërsa, në një shenjë vlerësimi të veçantë, duke qenë se të gjitha këto arritje u bënë të mundura nën udhëheqjen e plakut të urtë e largpamës, Ismail Bej Vlorës, udhëheqës të atij lloji për të cilët ne kemi aq nevojë edhe sot e kësaj dite, kur interesat madhore të vendit duhet të mbizotërojnë përmbi çdo lloj interesi të çastit apo partiak, sepse vetëm kështu burrat e shtetit do ta gdhendin emrin e tyre me nder e me lavdi në librin e artë të historisë së kombit shqiptar, po përmbush detyrimin shtetëror e moral duke e dekoruar me Udhrin e Flamurit!
Dekoratat e Topit
-Presidenti i Republikës nderoi qytetin historik të Vlorës me Urdhrin Nderi i Kombit me këtë motivacion: Për rolin historik si qytet simbol i shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri shqiptar, për meritat e veçanta në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim, për ndjenjat e larta patriotike e liridashëse dhe kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar.
-Ndërsa i gjithë Grupi i atdhetarëve firmëtarë të dokumentit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u shpallën (pas vdekjes) Nder i Kombit me motivacionin: Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të parreshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë.
-Themeluesi i Pavarësisë së Atdheut tonë, Ismail Qemali u nderua (pas vdekjes) nga Presidenti Topi me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar me motivacionin: Për meritat e jashtëzakonshme historike dhe rolin vendimtar në të gjitha fazat e përgatitjes dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të krijimit dhe të drejtimit të shtetit të ri shqiptar; për cilësitë dhe aftësitë e rralla si ideolog kombëtar dhe udhëheqës i urtë, dijetar dhe diplomat i shquar, burrë shteti dhe politikan vizionar.