E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton aktin normativ për pensionet suplementare të ushtarakëve

13/01/2011  Sigurimet shoqërore deri tani kanë caktuar përfitimet për rreth 230 aplikues

Ndryshimet e përcaktuara në aktin normativ mbi llogaritjen e pensioneve për ushtarakët në rezervë aprovohen edhe nga kreu i shtetit Bamir Topi. Tashmë akti normativ ka marrë edhe firmën e Presidentit, çka do të thotë se procedura e nisur nga organet përgjegjëse për rillogaritjen e pensioneve sipas përcaktimeve të bëra është e ligjshme. Pavarësisht kërkesës së bërë nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, presidenti Topi ka dekretuar aktin normativ, i cili është bërë publik gjatë ditës së djeshme. Aktualisht janë shpallur nga organet e sigurimeve shoqërore edhe emrat e përfituesve të parë, të cilëve u është llogaritur masa e pensionit sipas përcaktimeve të bëra në aktin normativ. Konkretisht bëhet fjalë për atë kategori ushtarakësh që e drejta e përfitimit u ka lindur që nga korriku 2009, por për shkak të përplasjeve të krijuara ndërmjet palëve këto pensione mbetën të bllokuara. Megjithatë, organet e sigurimeve shoqërore kanë bërë me dije se procedura llogaritjes së pensioneve do të jetë e shpejtë, kjo në varësi edhe të përgjigjeve që do të kthejnë ministritë e linjës. Këto të fundit janë organet kompetente për zbardhjen e historikut të punës për çdo përfitues. Vetëm pas marrjes së këtyre të dhënave sigurimet shoqërore përcaktojnë brenda 48 orëve masën e përfitimit si dhe qendrat paguese ku individi do të marrë pagesat. Dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë apo nga SHISH-i ka nisur që në fund të vitit që lamë pas, duke i hapur udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes. Sipas konfirmimeve të bëra deri më tani, të parët që do të përfitojnë llogaritjen e pensioneve dhe marrjen e pagesës që u takon janë ushtarakët që e drejta e përfitimit u ka lindur që ka 1 korriku 2009, më pas do të vijojë llogaritja edhe për dy kategoritë e tjera. Sipas përcaktimeve të bëra në akt, ndryshe nga sa është deklaruar më parë, vitet e shërbimit mbeten, ndërkohë që ndryshon pagesa që do të përfshihet në procesin e llogaritjes. Kështu, paga referuese bruto shndërrohet në pagë referuese neto, së cilës i hiqen të ardhurat e sigurimeve shoqërore, atyre shëndetësore si dhe tatimi mbi fitimin. Ndërsa për çdo vit pune për vjetërsi shtesë koeficienti nuk do të jetë më 2 për qind, por 1.5 për qind, sikundër është sanksionuar edhe në aktin normativ të miratuar nga Parlamenti gjatë javës së shkuar. Po ashtu akti sanksionon që për të gjitha kategoritë e tjera që duan të përfitojnë nga statusi kontributi nga 2 për qind e pagës do të jetë 5 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›