Partia Socialiste ankimon rezultatin për 2 KZAZ në Tiranë, ato nr. 49 dhe 54

Tiranë, 13 korrik, NOA Partia Socialiste ka paraqitur sot pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ankimimin lidhur me rezultatin paraprak zgjedhor për dy KZAZ-të në rrethin e Tiranës, atë me nr. 49 dhe nr. 54.
Për këto dy KZAZ, selia rozë është e mendimit se ka patur parregullsi gjatë momentit të numërimit të votave prandaj ka nevojë për një rinumërim.
Ky është ankimimi i dytë që Partia Socialiste ka paraqitur pranë KQZ-së, pas atij për Fierin dhe pritet të paraqesë të tjera edhe për Beratin dhe Shkodrën.
Ndërkaq, në mbledhjen që është duke u zhvilluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë listën e re të mandateve të qarkut të Fierit, pas numërimit të djeshëm, i cili konkludoi me fitore të Partisë Socialiste ndaj asaj Demokratike.
E përkthyer në mandate, i bie që PS në këtë zonë të vendit të jetë fituar një deputet më shumë, i cili do të jetë Pirro Lutaj, sipas listës së kandidatëve.
n.e/NOA