E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dhe Topalli së shpejti vizitojnë Maqedoninë

TIRANE- Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli janë dy personalitete e shtetit shqiptar që priten të vizitojnë Maqedoninë në muajin prill, shkruan shqiptare në Maqedoni, Koha. Sipas burimeve konfidenciale, mësohet se bëhet fjalë për vizita kortezie, ndërsa në axhendën e dy krerëve janë parashikuar takime me homologët e tyre, përfaqësuesit më të lartë të ekzekutivit dhe ligjvënësit, si edhe me liderët politik shqiptarë.

Vizitat e Topallit, që pritet të jetë në datat 3-4 prill dhe e Presidentit Topi në mesin e muajit, në një farë mënyre mbyllin edhe vizitat e përfaqësuesve shtetërorë shqiptarë të kohëve të fundit që janë zhvilluar në Shkup. Për kryetaren e Parlamentit, vizita e parë në Maqedoni në muajin prill është një datë e spostuar prej disa vitesh. Vizita e saj pritej që të ndodhte pas uljes së saj në postin e kryetares së Parlamentit, atëherë kur në Tiranë ishte edhe kryeparlamentari i Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Ndërsa vizita e Topit do të jetë e dyta që kreu i shtetit shqiptar do të realizojë në Maqedoni, dhe me gjasë, edhe e fundit në mandatin e tij presidencial që është drejt skadimit. Këtë herë, ai është i ftuar nga homologu i tij, presidenti Gjorgji Ivanov.

Kryeministri Sali Berisha, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të kryeministrit kanë vizituar Maqedoninë gjatë muajve të fundit. Fluksit të vizitave nga Tirana i janë shtuar edhe ato të përfaqësuesve politikë, siç ishte ajo e liderit të opozitës Edi Rama. Në takimet e zhvilluara deri tani palët kanë konfirmuar vullnetin e mirë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, pavarësisht retorikës së përdorur në kanalet diplomatike gjatë incidenteve të ndodhura kohëve të fundit, djegiet e flamurit shqiptar, thirrjet antishqiptare në stadiume, së cilave iu shtuan edhe incidentet e dhunshme në baza etnike, vrasja e dy të rinjve në Gostivar dhe incidentet e tjera mes nxënësve të shkollave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›