LSI, Rama: Të gatshëm të bashkëpunojmë me PS-në për reformën zgjedhore
TIRANË- Për Lëvizjen Socialiste për Integrim parësore është fillimi i punës për reformën zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi dje se LSI-ja është e gatshme të bashkëpunojë me PS-në, për çështje të rëndësishme, siç është ajo për reformën zgjedhore. Sipas Ramës, nëse PS-ja kërkon bashkëpunim, atëherë ajo duhet ta demonstrojë me fillimin e bisedimeve për reformën zgjedhore, aq shumë të kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar. “Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me PS-në, që nesër, për reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është prioriteti i prioriteteve për axhendën politike të vendit. Reforma zgjedhore është edhe çështja më sensitive për të cilën edhe partnerët ndërkombëtarë janë të angazhuar dhe na kanë tërhequr vëmendjen për të bashkëpunuar në realizimin e saj. Nëse Partia Socialiste do bashkëpunim, le të vijë dhe ta demonstrojë këtë bashkëpunim si hap të parë për reformën zgjedhore”,- tha dje Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së komentoi edhe lëvizjen e fundit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, lidhur mbi mundësinë e ndryshimeve në Kushtetutë. “I dëshpëruar dhe në panikun e humbjes, ai është gati të prishë dhe të sakrifikojë gjithçka tjetër vetëm e vetëm që ai vetë të jetë i lidhur pas një zyre të pushtetit, pasi pas katërmbëdhjetë vjetësh në pushtet, një njeri që asnjëherë nuk ka qenë në opozitë, nuk mund ta kuptojë që rregullat e lojës në demokraci thonë që të jesh edhe në opozitë dhe të punosh edhe në opozitë”, - tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së shtoi gjithashtu se Edi Rama duke pranuar gabimin, që kishte bërë me ndryshimet kushtetuese, duhet të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen. “Kur pa se e gjitha ajo çfarë bëri i mbeti si një tullumbace në dorë, është rikthyer sërish tek e njëjta temë. Dhe politikanët e përgjegjshëm, në një rast të tillë, një kryetar partie, më e pakta që do të bënte ishte që të jepte dorëheqjen. Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta sipas orekseve personale dhe ambicies personale për pushtet të Edi Ramës. Ajo çfarë duhet të bëjë PS-ja është që të nxjerrë përgjegjësitë e gjithçkaje që përbën tashmë negativitetin e qëndrimeve politike të PS-së, të rregullojë vetveten, të rikthejë standardet demokratike brenda hapësirave të veta dhe pastaj të ketë të drejtën që të kërkojë edhe partneritet dhe bashkëpunim për sfida të mëdha”,- tha Rama. Pak ditë më parë, edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. “Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Sepse, për sa i takon reformës zgjedhore, ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg”,- u shpreh ai pak ditë më parë. Meta ka pranuar gjithashtu se është pozitiv fakti që pranohet sot nga autorët e këtyre ndryshimeve, se ndërhyrjet ishin të nxituara. Megjithatë, ai ka argumentuar se nuk duhet bërë një hap i dytë i nxituar dhe po aq i gabuar. “Kushtetuta është ligji themeltar i një shteti dhe Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi apo qoftë edhe i një force politike apo disa të tjerave”, - u shpreh Meta, pak kohë më parë.