Topi fton investitorët turq në Shqipëri

Duke vënë në pah klimën e favorshme të të bërit biznes, kuadrin e duhur ligjor dhe lehtësirat fiskale në Shqipëri, Presidenti Topi ftoi investitorët turq që të rrisin praninë e tyre në vendin tonë.
Sipas Presidentit, "marrëdhëniet politike duhet të shkojnë në sinkron me ato ekonomike". "Politika pa biznesin, – tha Presidenti – do ishte një demagogji, do të ishte retorikë".
Në faktorët që duhet të nxisin biznesin turk të investojë në Shqipëri, Presidneti renditi ndryshimin pozitiv të klimës së të bërit biznes, barrën e ulët fiskale, reduktimin e barrierave proceduriale administrative, të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë që kanë hyrë në procesin e standartizimit, reformimin e sistemit të drejtësisë, një rënie të dukshme të korrupsionit dhe një forcim të shtetit ligjor.
Turqia është aktualisht një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, duke zënë përkatësisht vendin e tretë në investime dhe në totalin e shkëmbimeve tregtare. Kurse marrëdhëniet politike konsiderohen të shkëlqyera.
Turqia e njohu pavarësinë e Kosovës vetëm një ditë pas shpalljes së saj dhe ratifikoi dy ditë më parë Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.