Kushti i Edi Ramës për të dhënë konsensusin e PS për reformën në drejtësi reformës

Në buxhetin e 2009-ës drejtësia të marrë 1 për qind të PBB-së
Partia Socialiste është për një bashkëpunim me kushte me mazhorancën për të vijuar më tej reformën në drejtësi. Një ditë para miratimit nen për nen të projektbuxhetit të vitit 2009, nënkryetari i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar rritjen e buxhetit për institucionet e sistemit gjyqësor, një shifër që sipas selisë rozë duhet të kapë jo më pak se 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Duke iu referuar progres-raportit të Bashkimit Evropian për vitin 2008, Xhafaj tha se në të ndonëse vlerësohet Pakti ndërpartiak Kombëtar për Drejtësinë, kritikohet mungesa e një strategji të qartë reforme dhe vizioni për gjyqësorin.
“Në këtë raport thuhet se sistemi gjyqësor vazhdon të jetë problematik, me procedura të ngadalta dhe jo transparente, infrastruktura gjyqësore kërkon forcim të konsiderueshëm. Në një kohë që nevojitet mbështetje e mjaftueshme nga buxheti i shtetit për shkollën e Magjistraturës për të siguruar vazhdueshmëri dhe trajnim i specializuar e i vazhdueshëm për gjykatësit”, deklaroi deputeti socialist.
Në këtë kuadër, ish-Ministri i Drejtësisë theksoi se pakti që selia rozë ka propozuar lidhur
me këtë reformë ka të bëjë në radhë të parë një financim të mjaftueshëm të këtij sistemi që duhet të konkretizohet në rritjen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë në atë masë, çka shihet si mburojë ndaj presioneve që synojnë të ndikojnë në vendimet e tyre dhe në përgjithësi sjelljen e tyre, duke ndihmuar kësisoj në garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë; përmirësimin e infrastrukturës së godinave të gjykatave dhe prokurorive me qëllim krijimin e kushte të përshtatshme të punës në mënyrë që funksionarët e drejtësisë të punojnë me efikasitet; garantimin e sigurisë fizike të funksionarëve të drejtësisë, dëshmitarëve, ekspertëve në ambientet e institucioneve etj.
Sensibiliteti i PS-së, për reformën në drejtësi, është shtuar pas akuzave të Kryeministrit Sali Berisha, për shkeljen e një pakti nga ana e kësaj partie opozitare, për hartimin e miratimin e kësaj reforme.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike disa ditë më parë, kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve socialistë që të “mbajnë fjalën” për të votuar në Parlament atë që ata vetë e kanë cilësuar si “Pakti për Drejtësinë”.
“Reforma do të vazhdojë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për drejtësinë dhe ne i qëndrojmë dhe do vazhdojmë reformën. Ftoj opozitën në interesin më të mirë të vendit dhe të të gjitha forcave politike pa përjashtim t’i përmbahen paktit të votuar në Parlament”, u shpreh Berisha pa imponuar ndonjë kusht.
Reagimi i Berishës erdhi pas deklarimit të kryesocialistit Edi Rama nga Elbasani se bashkëpunimi mes PS dhe PD për reformën në drejtësi kishte marrë fund.
...