Reagon ministria e Brendshme pas akuzave të PS: Krahas luftës ndaj krimit të organizuar, prioritet mbetet mbrojtja dhe respektimi i lirive të qytetarëve

Ministria e Brendshme, mohon akuzat e politike të ardhura nga eksponentë të Partisë Socialiste, ku sipas tyre strukturat e policisë së Shtetit ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve.
Me anë të zëdhënësi Fatmir Konja, Ministria e Brendshme, bëri me dije dje, se rastet e dhunës së punonjësve të veçantë të policisë mbi qytetarët janë vetëm raste të izoluara të shkeljes së ligjit nga këta punonjës, për të cilat ata janë përballur me reagimin e ashpër të strukturave përkatëse shtetërore dhe ligjin.
“Qeveria aktuale inicioi dhe mazhoranca e saj mbështetëse parlamentare miratoi një ligj të ri për Policinë e Shtetit të standardeve më të larta evropiane, ligj i cili e heq nga varësia e ministrit të Brendshëm, Policinë e Shtetit si dhe çdo mundësi për dhënie urdhrash nga ministri mbi strukturat policore. Gjatë mandatit të kësaj qeverie janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme lokale si dhe fushata elektorale për zgjedhje të parakohshme në tre zona elektorale dhe në të gjitha këto raste Policia e Shtetit ka demonstruar një etikë të lartë qytetare dhe profesionalizëm”, deklaroi zëdhënësi Konja.
Ai nënvizoi se ka një komunikim i vazhdueshëm dhe bashkëpunim shumë i mirë mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Institucionit të Avokatit të Popullit.
“Rezultat i këtij bashkëpunimi ishte dhe tryeza e përbashkët e organizuar më datën 11 Nëntor 2008 mbi parandalimin e dhunës, ku nga ana e Avokatit të Popullit u referuan vlerësime pozitive. Kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim do të mbetet gjithmonë prioritet i punës sonë”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Fatmir Konja.
Ndërkaq, Ministria e Brendshme shpreh shqetësim ndaj përdorimit politik nga ana e Partisë Socialiste të rasteve të izoluara për të denigruar imazhin pozitiv të Policisë së Shtetit dhe frenuar angazhimin e saj profesional në goditjen ligjore të krimit dhe trafikantëve.
“Vetëm gjatë tre viteve të fundit Policia e Shtetit ka arritur të zbulojë dhe vërë para ligjit autorët e 949 ( nëntëqindedyzetenëntë ) ngjarjeve të vjetra të ndodhura gjatë qeverisjes socialiste dhe me autorë “të larguar në drejtim të paditur”.
Ministria e Brendshme siguron edhe një herë opinionin publik se krahas luftës me tolerancë zero ndaj krimit do të mbetet si prioritet thelbësor i saj, mbrojtja dhe respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve”, nënvizoi ndër të tjera ai.
...