E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi i Barcelonës

Barcelona ka mbajtur më tepër se 50 për qind të posedimit të topit në të gjitha ndeshjet e saj në katër vitet e fundit. Statistikat e gjigantit katalan janë të jashtëzakonshme: 247 ndeshje të njëpasnjëshme me posedim superior ndaj ekipeve kundërshtare. 245 prej tyre i takojnë komplet epokës së trajnerit Pep Guardiola.

Sot katër vjet. Mos u hutoni, nuk bëhet fjalë për ndonjë titull të fituar (në fakt Barcelona doli humbëse), por për një mënyrë të kuptuarit të lojës së futbollit që xhelozohet nga mbarë bota. Hera e fundit kur Barcelona kishte më pak se 50 për qind të posedimit në një ndeshje ishte më 7 maj 2008.

Në Santiago Bernabeu në edicionin 2007/08, me titullin e vendosur, Real Madridi e dominoi Barcelonën e Frank Rijkkardit në fitoren 4-1. Prej atëherë, skuadra katalane ka zhvilluar 247 ndeshje të njëpasnjëshme, dy me Rijkaardin dhe të gjitha në epokën e Guardiolës, duke mbajtur posedim superior të topit ndaj kundërshtarëve.

Deri disa ditë më parë, duke analizuar kohën e tij në drejtim të skuadrës, Guardiola shpjegoi se ishte jashtëzakonisht krenar që skuadra e tij gjithmonë ka dominuar ndeshjet e saj.

Ata, nën drejtimin e tij e kanë bërë këtë për 245 ndeshje të njëpasnjëshme. Kurse, deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe dy takime. Një analizë e të gjitha ndeshjeve të luajtura nga Barcelona me Guardiolën në pankinë tregon se vetëm dy prej tyre kishin përqindje të balancuar të posedimit. Hera e parë ishte finalja e Ligës së Kampionëve në Romë (2-0) Kur Manchester United ishte afër me 49 %.

Megjithatë, fakti se ndeshja ishte pothuajse e përcaktuar në minutën e 70-të pas golit me kokë nga Lionel Messi ndihmon në kuptimin e kësaj statistike. Rasti i dytë ishte në finalen e sivjetme të Superkupës së Spanjës (2-2). Në këtë duel, Real Madridi i Jose Mourinhos arriti në 48 %.

Mbrëmje të paharrueshme

Për dallim, ekzistojnë ndeshje të tjera, prej të cilave edhe të atilla me rëndësi të veçantë, të dominuara me posedim nga Barcelona. Gjiganti katalan kishte 71 % të posedimit me 768 pasime të kompletuara për dallim me vetëm 233 të Santosit, në finalen e Kampionatit botëror të klubeve.

Një paraqitje e mahnitshme e cila bëri që trajneri i skuadrës rivale, Muricy Ramalho të shpjegoj në fund të takimit se Barcelona luajti në sistem “3-7-0”. Alex Ferguson u shpreh ngjashëm pasi skuadra e tij Manchester United humbi 3-1 nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve në Wembley, e që ekipi i tij pati vetëm 37 % të posedimit.

“Ata janë skuadra më e mirë me të cilën jam ballafaquar. Askush nuk na ka dominuar më tepër. Ata na hipnotizuan me pasimet e tyre”, deklaroi Ferguson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›