Kur nderi është më i rëndësishëm se jeta

Një pakistaneze e re përjetoi që të kërcënohet me vdekje nga prindërit, vetëm për shkak se nuk e pranoi martesën e aranzhuar me një kushëri të saj.
“Kur kisha 18 vjet, prindërit mu kërcënuan se do të më vrasin dhe e kishin seriozisht. Po të ishin pyetur ata, unë so do të kisha qenë e vdekur”, theksoi në një intervistë për revistën “Daily Beast” Sabatina James, e cila më vonë ndërroi emrin dhe u konvertua në të krishtere.
Ajo thotë se çdo gjë filloi gjatë kohës sa familja e saj jetonte në Linz të Austrisë, me mijëra kilometra larg atdheut të saj, Pakistanit dhe fshatit të saj malor në Kashmir.
Sabatines i pëlqente çdo gjë që kishte parë në Evropë, por asgjë prej këtyre gjërave nuk i pëlqenin familjes së saj.
“Jemi grindur për oret e notit dhe të aktrimit, për të cilat babai im thoshte se i kushtohen lavireve”, rrëfen Sabatina.
Rreth 5 mijë femra për çdo vit vriten anembanë botës, nën akuzat për kinse poshtërim të familjes.
Kur nëna e saj kishte gjetur ditarin personal të Sabatinës, në të cilin ajo kishte përshkruar puthjen e saj me një djalë, nëna e kishte rrahur, e kishte mbështetur për muri dhe e kishte quajtur lavire.
“Kur ka qenë në moshën time, ajo është martuar në kuadër të një martese të aranzhuar. Ishte e mendimit se kishte ardhur koha që edhe unë ta bëja të njëjtën gjë, por unë nuk mendoja ashtu. Kështu edhe filloi beteja e dhunshme trevjeçare me nënën time”, kujton Sabatina.
Nëna filloi të përcjellë me kujdes çdo hap, të cilin e bënte Sabatina. Kur në gardërobën e saj zbuloi një fanellë, të cilën e vlerësoi si tejet provokuese, ajo qëlloi Sabatinën me këpucë në fytyrë, duke ja çarë buzën.
Megjithatë, Sabatina nuk u gjunjëzua. Prindërit rezistencën e saj e vlerësonin si një turp të madh për familjen.
“Nuk desha të zhdukem në një martesë të imponuar. Doja të kisha lirinë time”, rrëfen ajo.
Gjatë një vizite te familja e saj në Pakistan, Sabatina kishte veshur patolona të gjëra dhe një bluzë, për ç’arsye edhe ju afrua një grup i meshkujve, duke e fyer atë. Pas kthimit në shtëpi, nëna e saj së pari e kishte rrahur, e më pas kishte filluar të qëllojë vetën me shkop në gjoks, duke klithur:”Kam lindur një lavire”.
Në Pakistanin konservator nuk lejohen “sjellje më të lirshme të femrave”, pasi që sjellje të tilla konsiderohen si turpërim i familjes.
Prindërit më pas e regjistruan në një medrese në Lahore, ku ditët i kalonte së bashku me 30 vajza tjera në një dhomë, pa shtretër dhe karrige, me një vrimë në tokë në vend të tualetit dhe aktiviteti i vetëm i lejuar ishte leximi i Kuranit.
Pas tre muajve në medrese, ajo refuzoi të hante, për ç’arsye edhe u dëbua nga shkolla. Në fund, ajo pranoi të martohet me mashkullin, të cilin e kishte zgjedhur familja, me qëllim që t’i ofrohej mundësia për t’u kthyer në Austri.
Pas kthimit në Austri, kur prindërit kuptuan se cili kishte qenë synimi i saj i vërtetë, babai i saj i tha diçka, fjalë këto të cilat sipas saj nuk do t’i harrojë gjithë jetën.
“Nderi i kësaj familje është më i rëndësishëm për mua, se sa jeta ime apo jeta jote”, i kishte thënë babai.
Sabatina këtë e kuptoi si një kërcënim serioz. Në moshën 18 vjeçare ajo u arratis nga shtëpia dhe filloi të punojë në lokal. Por prindërit nuk u dorëzuan dhe filluan ta ndjekin edhe në adresën e re, për ç’arsye edhe u përjashtua nga puna.
Pas kësaj, ajo u arratis në Vjenë dhe filloi një jetë të re, me emër dhe me një besim të ri, ngase u konvertua në të krishtere. Ka shkruar një libër për jetën e saj, ndërsa prindërit i ka paditur për shpifje dhe gjykata ka vendosur në favor të saj.
Ajo sot jeton në Gjermani, ku udhëheq një Fondacion, i cili i ndihmon femrave viktima të dhunës që të largohen nga familjet e tyre dhe që të gjejnë strehim dhe punë.
“Rrallë dal vetëm nga shtëpia, ngase frikësohem se dikush mund të më pret prapa këndit. Gjithmonë e kam dashur lirinë, por kam paguar një çmim të lartë për të”, përfundon Sabatina James.