E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kthen ne Kuvend ligjin e plehrave

Kreu i shtetit i ka kthyer mbrapsht Kuvendit si të papajtueshëm me kushtetutën ligjin për plehrat. Bamir Topi nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare të presidencës sqaron se kundërshton nenin 49, të ligjit dhe konkretisht ipmortin e mbetjeve nga jashtë.

“Parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për“minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, thuhet në arsyetimin e presidentit.

Ky ishte afati i fundit i presidentit për ta dekretuar ligjin i cili u miratua në kuvend në 22 shator. Sipas tij përvecse me kushtetutën, kjo nismë bie ndesh dhe me vetveten. Konkretisht neni 2, flet për reduktim të pasojave të mbetjeve, ndërsa ai 49 i shton ato duke importuar plehra.

"Mbetem i mendimit se ligji ka nevojë për përmirësime në drejtimet e mësipërme, por gjykoj se çdo variant i ofruar duhet të jetë në pajtim me objektivat socialë që Kushtetuta ka vendosur, që institucionet dhe shoqëria shqiptare duhet të kenë në raport me jetën tonë dhe brezat e ardhshëm", vijon më tej Topi.
 
Ligji parashikonte dhe faturën financiare për zgjidhjen e problemit të plehrave në vend, por jo një afat kohor kur do të ndodhte kjo. Rreth 150 milionë euro do të ndaheshin për ndërtimin e landfilleve, impianteve të tjera për asgjësimin dhe përpunimin e plehrave por edhe për fushata ndërgjegjësimi. Një aneks të vencantë në të zinte dhe lista e të re e ministrisë së Mjedisit me llojet e mbetjeve që lejohen të importohen për riciklim në Shqipëri.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›