E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me ish presidentët: Po vonohet integrimi

TIRANE- Ulje te tensionit politik, dialog me spaleve dhe zhvillimin e reformave per rrugen integruese te vendit. Kete mesazh kane percjelle sot kreu i shtetit, Bamir Topi gjate nje takimi me dy ish presidentet, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani.

Biseda u përqendrua kryesisht në zhvillimet më të fundit në vend, ku ata ndanë shqetësimin dhe mendime të përbashkëta se situata e rënduar politike, jo vetëm që dëmton demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike- tha Topi duke vleresuar rolin e dy ish presidenteve.

Në këtë drejtim, të dy ish-presidentët Moisiu dhe Meidani dhe Presidenti Topi theksuan domosdoshmërinë e uljes së tensioneve politike dhe rikthim në normalitet të jetës institucionale, sidomos asaj parlamentare si dhe gjetjen nga ana e partive politike të vullnetit të duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe konsensus.

Ata vlerësuan rolin e ekuilibruar dhe moderator të Presidentit Topi, i cili ka treguar gjithmonë në çdo hap se është respektues i Kushtetutës dhe simbol i unitetit të popullit.

Dy ish-Presidentët theksuan se do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme, që përmes komunikimeve me tone të qeta e të matura, vijon të përmbushë misionin e lartë e tepër të rëndësishëm të Kryetarit të Shtetit, duke zbatuar rigorozisht Kushtetutën e Shqipërisë dhe të gjithë kuadrin ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›