E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet rreziku i 99-shave në PS

25-07-2011 / Julian Alliu

Edi Rama i beson FRESSH-in Erjon Veliajt dhe G 99-ës

Partia Socialiste po ndeshet aktualisht me një valë debatesh të ashpra ku nuk mungojnë edhe akuzat ndaj lidershipit të saj Edi Rama për favorizim klientelist në emërimet brenda strukturave drejtuese të partisë. Pas kritikave të disa prej anëtarëve të kryesisë, njëherazi deputetë të kësaj force politike dhe aleatëve, për mungesë përgjegjshmërie në funksionimin dhe organizimin e koalicionit e veçanërisht Partisë Socialiste në veçanti, një tjetër front “beteje” hapet në Forumin Rinor Euro Socialist.
Eksponentë të kësaj strukture të PS, akuzojnë Edi Ramën se po përpiqet të inkorpurojë në funksione drejtuese të FRESSH, figura pa përvojë si dhe pa kontribute në Partinë Socialiste apo edhe në Forumin Rinor.
Rreziku më i madh vjen nga 99-shat e Erjon Veliajt, të cilët s’i lidh asgjë me Partinë Socialiste dhe historinë e saj, veç afrimitetit personal të Edi Ramës me Erjon Veliajn. Kjo ka shkaktuar përçarjet e para, teksa në krah të të rinjve janë renditur kryetarja aktuale e FRESSH-it, Erisa Spiropali dhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe. Ky i fundit njihet për raportet e tij të acaruara me Erjonin tjetër, atë që de facto njihet numri 2 i Partisë Socialiste. I gjithë ngërçi lidhet me neglizhencën dhe shpërfilljen e FRESSH nga anxhenda e drejtuesve të selisë rozë.
Kësisoj, drejtuesit e Forumit Rinor Eurosocialist (FRESSH) kanë kërkuar që riorganizimi i këtij forumi të bëhet në bazë meritokracisë dhe respektimit të parimeve demokratike. Në konferencën e zhvilluar paraditen e djeshme, me krerët e rretheve të këtij forumi dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, është diskutuar për ristrukturimin dhe funksionimin normal të strukturave.
Shqetësimi kryesor i shprehur nga të rinjtë socialistë ka pasur të bëjë katapultimet, apo emërimet e drejtuesve që nuk kanë eksperiencë në këtë forum. Në takimin e zhvilluar në “Tirana Internacional” ka pasur debate edhe mbi krijimin e strukturave paralele. Është kërkuar që në ristrukturimin e partisë, roli i FRESH, si pjesë thelbësore e PS-së të jenë në zbatim të statutit dhe të parimeve të demokracisë së brendshme.
 Për të shmangur problemin e emërimeve nga lart, në takim është kërkuar nga drejtuesit e forumit që të ketë zgjedhje brenda strukturave, duke funksionuar si organizatë me demokraci të brendshme dhe jo me urdhra dhe emërime. Parimisht, kërkesat e drejtuesve të FRESH janë mbështetur dhe nga deputeti socialist Erjon Braçe.
Debate ka pasur dhe për zbehjen e rolit të këtij forumi.
Në takim të rinjtë kanë shprehur hapur rezerva mbi anashkalimin e parimeve demokratike në zgjedhjen e drejtuesve.
Sipas tyre lidershipi i partisë kërkon që të vendosë sërish në krye të FRESSH njerëz “të besuar”, me anë të të cilëve mund të kontrollohet më mirë forumi. Shqetësimet e shprehura nga të rinjtë do të përcillen në strukturat përkatëse të PS-së duke kërkuar zgjedhje normale dhe rikthimin e FRESSH në funksionimin normal që ka pasur më parë.
Siç kuptohet nga i gjithë ky ngërç strukturor i Partisë Socialiste, Edi Rama ka krijuar konfuzion në radhës e socialistëve të të gjitha strukturave dhe forumeve vendimmarrëse. Një prej tyre që rrezikon të bëhet thjesht shtojcë e interesave të kryetarit, është edhe Forumi Rinor Euro Socialist. Por, rezistenca e këtyre të rinjve si dhe suporti i brendshëm politik brenda PS-së, duket se do ia vështirësojnë Edi Ramës pikëpamjen shoviniste të katapultimit të strukturës si dhe emërimin në të të njerëzve të besuar, veçanërisht të ardhurit nga radhët e G99-ës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›