Topi me komunitetin rom: Kjo shtresa më e persekutuar
Topi me komunitetin rom: Kjo shtresa më e persekutuar
Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi zhvilloi një takim me komunitetin rom në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij, Topi tha se prej vitesh ky komunitet është i persekutuar ndërsa akuzoi politikën për mungesë ndjeshmërie ndaj këtij komuniteti. Kjo shtresë është e persekutuar, dhe kjo situatë vjen edhe nga mungesa e ndjeshmërisë së politikanëve. Po e shoh nga afër këtë treg dhe do të ftoj cilindo të mos i bëjë politikat nga zyra, por të vijë ta prekë realitetin këtu në terren. Humanizmi, është një ndjenjë që të gjithë duhet ta kenë brenda vetes, sidomos ata që bëjnë programet për shtresat në nevojë siç janë tregtarët e këtushëm, u shpreh Topi. Kreu i FRD-së tha se forca politike që ai drejton ka një program profesional për këtë komunitet. FRD me programin e saj do të mendojë njësoj për të gjithë kontingjentin e popullsisë që ka probleme me arsimin, strehimin dhe mbijetesën. Jeta e tyre do të ndryshojë në mënyrë thelbësore me politikat tona, pasi ne nuk shohim vetëm dyqanet afër bllokut, por të gjitha tregjet e vendit për ti bërë tregtarët të ndihen të barabartë, deklaroi Bamir Topi.
Dritan Prifti: Jam kërcënuar me jetë
Kandidati i pavarur për deputetë në qarkun e Fierit, Dritan Prifti ka denoncuar në polici se është kërcënuar me jetë nëpërmjet telefonit nga dy persona. Teksa ka bërë publik emrat e dy persona të cilët e kanë kërcënuar, Prifti shprehet i sigurtë në fitoren e mandatit në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Dritan Priftit referuar një sondazhi të OSBE, ai do të jetë deputetë me 13.5 përqind të votave, ndërsa thotë se në qoftë se do të garonte si parti do të arrinte të merrte tre mandate deputetësh. Po të kandidoja si parti do të merrja tre mandate, shprehet Prifti. Kandidati për deputetë, Dritan Prifti akuzoi gjithashtu s Partinë Demokratike se po zhvillon një fushatë shpifjesh e mashtrimesh.
KSHH: Administrata dhe institucionet arsimore po përdoren për fushatë
Komiteti Shqiptar i Helsikit pritet të publikojë së shpejti një raport për situatën parazgjedhore në vend. Me anë të një deklarate KSHH bëri publike disa nga problematikat të cilat janë pasqyruar në këtë raport. Duke u ndalur tek fushata zgjedhore, KSHH shprehet se ajo nisi 5-6 muaj para afatit ndërsa thekson se gjatë kësaj fushate po përdoret administrata dhe institucionet arsimore, përfshi edhe nxënësit. K.Sh.H e shikon të nevojshme të theksojë se fushata zgjedhore, ndonëse jo zyrtarisht, ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj. Ajo ka qenë e shoqëruar edhe me probleme. Sipas informacioneve që kanë ofruar mediat, por edhe nga informacioni që kemi marrë nga shtetas të ndryshëm, rezulton se administrata zgjedhore dhe institucionet arsimore, përfshi dhe nxënësit e mitur, janë përfshirë në aktivitete të fushatës, që zhvillohen brenda orarit zyrtar, ose gjatë kohës së mësimit, veçanërisht në rastin e inaugurimeve të objekteve të ndryshme të infrastrukturës, ose mitingje elektorale, thuhet ndër të tjerash në deklaratë. Sipas KSHH fushata po zhvillohet me tone agresive dhe incidente. Pjesë e monitorimit të KSHK ka qenë edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili sipas KSHH ka marrë vendime të njëanshme dhe politike. Sipas tyre situata në KQZ mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme dhe të rënda për mbarëvajtjen dhe certifikimin e zgjedhjeve.
Mediu: Do marrim dy mandate në qarkun e Durrësit
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me mbështetës të kësaj partie në Krujë. Në fjalën e tij, Mediu vlerësoi historinë e Krujës si një frymëzim për të gjithë. Kruja ka bërë historinë e Shqipërisë, ka qenë porta jonë e Evropës, tek shikon heroin tonë legjendar por njëkohësisht dhe malin e shenjtë, na jep përgjegjësinë për të vlerësuar atë çfarë kanë bërë të parët tanë por edhe për të punuar e për të garantuar një komb të bashkuar në Evropën e Bashkuar. Historia e Krujës është frymëzim për të gjithë ne. Besimi në Zot është besimi ynë i përbashkët, është mishëruar në historinë tonë në himnin tonë të flamurit, tha Mediu. Duke u ndalur tek rezultati i zgjedhjeve, Mediu tha se PR do të marri dy mandate deputetësh në qarkun e Durrësit. Më 23 Qershor kemi një sfidë të përbashkët, për dashurinë e familjes, fëmijët tanë, respektin e pronës, kombin. Ne republikanët, duke besuar në Zot, duam njëri-tjetrin, të bashkohemi për një fitore të përbashkët. Në këto zgjedhje ne duhet të marrim dy deputetë, Z. Duka dhe Z. Rada. Të thyejmë klishetë e partive të mëdha e të vogla, u shpreh Mediu. Në vijim, kreu i PR-së renditi disa nga arritjet kryesore të qeverisë në këto tetë vite qeverisjeje.