Meta: Fitorja e së majtës është e padiskutueshme
Meta: Fitorja e së majtës është e padiskutueshme
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë të LSI në qarkun e Durrësit zhvilloi disa takime me banorë të këtij qarku. Në fjalën e tij, Meta tha se fitorja e së majtës në zgjedhje është e padiskutueshme ndërsa premtoi ndryshim të situatës ekonomike dhe sociale në vend. Për ne si LSI është e rëndësishme jo vetëm fitorja sepse kjo është e padiskutueshme por një fitore sa më solide, në mënyrë që të kemi mundësi për të bërë reforma sa më të plota, të cilat do ta ndryshojnë shpejt situatën ekonomike dhe sociale në të gjithë vendin. Vota për LSI-në është një votë e mençur sepse është votë për zhvillimin e vendit. LSI ka treguar qartë që është një forcë koherente dhe që e ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt drejt zhvillimit dhe drejt Bashkimit Evropian, u shpreh Meta. Sipas kreut të LSI, forca e tij politike ka treguar që është një forcë për stabilitetin e vendit. Luajti një rol shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Edhe par dy javësh, atëherë kur askujt nuk i shkonte mendja, ndikoi me shumë këmbëngulje dhe urtësi për miratimin e tre ligjeve që do ti japin në dhjetor Shqipërisë statusin e vendit kandidat, status që do të zhbllokojë shumë projekte, shumë ndihma financiare dhe do të krijojë mundësinë edhe për hapjen e shumë vendeve të reja të punës, deklaroi Ilir Meta.
Kryemadhi: Punësimi, prioriteti kryesor i LSI
Kandidatja për deputete e LSI-së në qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi zhvilloi një bashkëbisedim me banorë në Komunën e Shëngjinit. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi tha se vendi i ka të gjitha resurset për të ecur përpara ndërsa theksoi se politika duhet të jetë më e drejtpërdrejtë me qytetarët. Shqipëria ka nevojë për zhvillim. Shqipëria i ka të gjitha resurset për të ecur përpara, për tu zhvilluar dhe sidomos Qarku i Lezhës i ka të gjithë mundësi për të pasur një jetë më të mirë. Ka ardhur koha që politika shqiptare të jetë e sinqertë, të jetë e ndershme, të jetë e drejtpërdrejtë me qytetarët e saj, deklaroi Monika Kryemadhi. Duke u ndalur tek programi i LSI-së, Kryemadhi tha se punësimi është një nga prioritete kryesore të kësaj force politike. Në dallim nga të gjitha forcat e tjera, programi ynë prioritet parësor ka çështjen punësimit dhe të gjitha politikat programore janë në funksion të punësimit, që nga politikat arsimore, ato të taksave dhe të gjitha politikat ekonomike. Padyshim që punësimi është politika më e efektshme dhe më me dinjitet nga pikëpamja sociale. Qëllimi ynë kryesor është rritja e punësimit dhe rritja e punësimit në një kohë sa më të shkurtër dhe njëkohësisht edhe duke vendosur në themele afatgjata, u shpreh Kryemadhi.