E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mesazh urimi Hollande: Të thellojmë bashkëpunimin dypalësh

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi uroi socialistin Fransua Hollande për triumfin e tij në zgjedhjet presidenciale në Francë.

Në mesazhin e bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës bëhet e ditur se Presidenti Topi i shprehu homologut Hollande besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve do të forcohen dhe më shumë gjatë mandatit të tij presidencial.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh përshëndetjet më të ngrohta e miqësore me rastin e fitores dhe zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Franceze! Më lejoni të shpreh dhe vlerësimin tim të thellë për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Duke u nisur nga ky qëllim, Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të vazhduar në rrugën e zhvillimit dhe përparimit demokratik e social në të gjitha fushat. Po kështu ne vlerësojmë lart rolin konstruktiv të Francës në proceset e paqes, demokratizimit dhe integrimit euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor!”- thuhet në mesazhin e kryetarit të shtetit shqiptar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›