E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Bosnje: Feja s`ka shërbyer për imponime politike

Presidenti Topi ka përshëndetur sot punimet e Samitit të 10-të rajonal të UNESCO-s, për Krerët e Shteteve të Evropës Juglindore, në qytetin Mostar të Bosnje-Hercegovinës. Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit, Bamir Topi duke u ndalur në mënyrë të veçantë në specifikën e përbërjes fetare të Shqipërisë prej pesë komunitetesh fetare theksoi se asnjëherë elementi dhe përkatësia fetare nuk kanë shërbyer për imponime politike e shtetërore ndaj tjetrit, pakicave fetare apo etnike.

“Në traditën tonë historike, familjare dhe shoqërore, përkatësia fetare myslimane, ortodokse dhe katolike ka shërbyer më shumë si element bashkimi, respekti e harmonie të ndërsjellë, në mbështetje të interesave madhore që kanë pasur qytetarët e shoqëria. Martesat midis individëve me besime të ndryshme fetare, bashkëjetesa në çdo qytet të familjeve të besimeve të ndryshme, shkëmbimi i vizitave dhe urimeve të gjithsecilit në festat fetare reciproke janë një traditë e konsoliduar dhe tipar për shoqërinë shqiptare dhe i njëjti tipar vlen edhe për shqiptarët që jetojnë në vendet e tjera, përfshirë Kosovën, Maqedoninë apo komunitetet e tjera të mëdha në Diasporë” ka shtuar Topi.
 

Kreu i Shtetit shqiptar parashtroi në diskutimin e tij, fenomenin e ndeshur shpesh në ditët e sotme, ku sipas tij ekstremizmi fetar tenton të imponojë sjellje e vendime politike apo që politika të caktuara ta përdorin atë ai mjet për qëllime politike të ditës duke shprehur se është përgjegjësia e vendimarrësve të refuzojnë një tentativë të tillë. “Është përgjegjësia e jonë si vendimmarrës politikë të rajonit të Evropës Juglindore, të refuzojmë çdo tentativë e sjellje të tillë negative dhe njëherësh përmes dialogut dhe modelit të bashkëjetesës fetare e politike, të japim një shembull të shkëlqyer për gjithë botën, duke u bërë imazhi më i mirë i kapërcimit të divergjencave që na ndanin në të shkuarën, nëpërmjet pranimit të tjetrit, respektit për të ndryshmen, e më e rëndësishmja, duke njohur e përqafuar të ngjashmen e të gjithë popujve të rajonit tonë” - nënvizoi Presidenti Topi.

Gjithashtu, duke e vënë theksin tek rëndësia e anëtarësimit të vendeve të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi theksoi se anëtarësimi i shumë shteteve tregon se ky bilanc politik i paimagjinueshëm vetëm 15 vjet më parë dëshmon potencialin e madh të rajonit për ndryshim, për progres dhe për nxitje të parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. “Pjesë e këtij potenciali është edhe aftësia e jonë për të ndërtuar ura të qëndrueshme komunikimi dhe besimi në çdo fushë, përfshirë edhe çështjet e besimit fetar dhe dialogut kulturor. Grupet ekstremiste kudo në rajon vijojnë të jenë pakicë dhe ky është një lajm i mirë për një standard të ri sjelljeje që forcon bazën e marrëdhënieve të besimit dhe bashkëjetesës” shtoi Topi.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtuse “në radhë të parë shtetet duhet të bëjmë më shumë për të jetuar së bashku në respekt e harmoni brenda vetë rajonit ku ndodhen, si pjesë e bashkësisë juglindore evropiane” duke përmendur si rast konkret shtetin më të ri, Kosovën, “si një vend demokratik, evropian dhe me përkushtim e rezultate të dukshme pozitive në realizimin e standardeve të larta të bashkëjetesës ndëretnike dhe ndërfetare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›