Topi në Dibër të Madhe: Politika, përgjegjësi historike
DIBER- Kryetari i FRD-së, Bamir Topi ka qene sot ne Dibrën e Madhe me rastin e festës së 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
“Festat janë ngjarje të rëndësishme që duhet të bashkojnë qytetarët, pavarësisht flamujve partiakë edhe në respekt të sakrificës dhe të flamurit kombëtar”- tha Topi, duke shtuar se brezat e sotëm u janë përjetësisht mirënjohës etërve themelues të cilët vunë interesat kombëtare mbi këdo interes tjetër.
Duke vleresuar faktorin shqiptar të fortë, aktiv dhe garantues të paqes në rajon, Topi ka theksuar se shqiptarët janë e mbeten një komb evropian dhe me vokacion perëndimor.
“Politika dhe ata që marrin vendime për qytetarët dhe interesat e vendit duhet ta kuptojnë detyrën e tyre jo si një privilegj e të drejtë personale, por si një përgjegjësi historike, një shans për të dhënë një kontribut modest për vendin, dhe se sot është koha të dëshmojmë më shumë vlera e angazhim në forcimin e shtetit të së drejtës, vlerave evropiane dhe problemeve të qytetarëve shqiptarë, kudo ata ndodhen”- tha Topi.