Berisha: Hasan Prishtina, arkitekt i Shqipërisë etnike
Përurohet monumenti kushtuar patriotit të lirisë dhe pavarësisë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: “Punoi për ta bërë Shqipërinë shtet të lirë”
Përmes një ceremonie të veçantë u përurua dje në Tiranë, busti i atdhetarit, Hasan Prishtina. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitete të lartë të vendit dhe Kosovës.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij përurimi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Sali Berisha vlerësuan maksimalisht figurën e Hasan Prishtinës, duke e cilësuar atë si arkitektin e pavarësisë së vendit. Duke marrë fjalën në këtë ceremoni, Presidentja e Kosovës Jahjaga vlerësoi rolin e patriotit Hasan Prishtinës për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
“Sot në 100 vjetorin kam nderin të përuroj shtatoren e atdhetarit, ideologut dhe organizatorit të kryengritjeve për liri dhe pavarësinë e vendit, këtij burrështetasi, ministri e kryeministri, që e donte përparimin e popullit që e dha pasurinë e tij për shkollën shqipe, që jetoi në veprimtari për ta bërë vendin shtet dhe popull të lirë të Evropës. Ne sot nderojmë veprën e Hasan Prishtinës, të njeriut që gjithë jetën, jetoi me veprimtarinë për ta bërë Shqipërinë shtet të lirë të Evropës. Ne po i nderojmë të gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta bërë reale lirinë dhe pavarësinë e vendit”, theksoi Jahjaga. Populli, vijoi ajo, që kujton nderon dhe respekton të kaluarën, e ka edhe të ardhmen të sigurt. Hasan Prishtina me gjithë veprimtarinë e vet na dëshmon se ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për atdheun dhe për demokracinë, arsimin e përparimin e përgjithshëm të popullit.
Sipas saj, Hasan Prishtina nuk pushoi së angazhuari që populli dhe atdheu të kenë miq të fuqishëm ndërkombëtarë, para së gjithash të SHBA.
Po kështu edhe kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha dha vlerësimet e tij për këtë figurë të rëndësishme për historinë kombëtare.
“Sot për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar pasi vendoset këtu apo kthehet në Preshevën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu jetën e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve”, veçoi Berisha, gjatë fjalës së tij.
Në po këtë linjë, shefi i ekzekutivit shtoi se “Hasan Prishtina në veprën e tij me të gjithë përkushtimin e tij u shndërrua në flakë mbajtësin e idealit të madh të Lidhjes së Prizrenit. Ai udhëhoqi lëvizjet më të mëdha që shqip kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i Shqipërisë në parlamentin e perandorisë osmane është zotuar se do bënte gjithçka për Shqipërinë etnike”, u shpreh Berisha.
Ndërsa Ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi, tha se “100 vite me parë në kuvendin e Junikut u mblodhën burrat e Kosovës dhe delegatë nga të gjitha trevat krijuan një uragan, i cili për tre muaj çliroi gjithë qytetet e Kosovës dhe arriti në Shkup dhe këtë uragan e drejtonte Hasan Prishtina”.
Busti i Hasan Prishtinës me gjatësi 3.2 metër, i vendosur në lulishten pranë Muzeut Historik Kombëtar është vepër e skulptorit Artan Peqini