E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Hungari, merr pjesë në përkujtimin e rënies së "Perdes së Hekurt"

Presidenti Bamir Topi mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së "Perdes së Hekurt" në Hungari, i ftuar nga Presidenti i Hungarisë, Lazlo Solyom. Siç bën të ditur zyra e shtypit të Presidencës, Presidenti Topi ndoqi nga afër ceremoninë e hapjes së kësaj veprimtarie madhështore që filloi me një marshim të Trupës së Paradës Ushtarake në sheshin "Kossuth Lajos" dhe ngritjen, nën tingujt e himnit hungarez, të flamurit kombëtar të Hungarisë. Sipas burimeve të mësipërme, Presidenti i Hungarisë dhe të ftuar të tjerë iu drejtuan të pranishmëve me nga një fjalë përshëndetëse, ku u nënvizua rëndësia e kremtimit dhe e përkujtimit të ngjarjeve të tilla historike dhe shumë thelbësore në zhvillimet mbarëbotërore dhe se prania e personaliteteve të larta dhe të nderuara në një ngjarje të tillë tregon edhe një herë frymën pozitive të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit të kombeve për forcimin dhe konsolidimin e demokracisë kudo në botë në shërbim të paqes dhe të stabilitetit, si dhe në dobi të mirëqënies së popujve. Gjatë këtyre aktiviteteve, thanë burimet, Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet nga afër me homologë dhe personalitete të larta ndërkombëtare. "Në përfundim të këtyre veprimtarive, Kryetari i shtetit shqiptar dhe të ftuarit e tjerë të nderit në këtë eveniment ndoqën një koncert festiv dhënë me rastin e 20-vjetorit të të hapjes së kufirit midis Hungarisë dhe Austrisë, në Operan Shtetërore Hungareze me titullin simbolik "Lindja e Lirisë"", bënë të ditur burimet zyrtare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›