E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Poloni: Pavarësisht konfliktit, politika pro integrimit

Në këtë veprimtari të rëndësishme Presidenti Topi mbajti fjalën e rastit në të cilën ku në mënyrë të veçantë u ndal në arritjet e vendeve të rajonit ballkanik në drejtim të konsolidimit të demokracisë së brendshme, të forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë larg retrospektivës së egër të luftërave ndëretnike si dhe me vizionin e përbashkët dhe aspiratën e madhe të integrimit evropian dhe euroatlantik. “

"Ne kemi një ndryshim të rëndësishëm gjeopolitik në rajon”, u shpreh Presidenti duke vënë në dukje se “më është dashur përpara për shkak të një qëndrimi objektiv dhe detyrimit për ta shprehur këtë qëndrim që të vë në dukje pikërisht atë pjesë të avancimit dhe reformave institucionale që po bëhen edhe në vendin fqinjë, në Kosovë”.

“Sot unë e shoh të tepërt dhe më vjen mirë që sot këtë mundësi do ta ketë në këtë tryezë të nderuar që ta shpalosë Presidentja e nderuar e Kosovës, e cila që në hapat e parë të misionit së saj e ka demonstruar vizionin e bashkëpunimit dhe besoj të gjithë jemi dakord që duke pasur si pikë referimi Evropën, në mënyrë absolute bien të gjitha referencat e retrospektivës së errët që lidhet me betejat ndëretnike dhe të gjithë së bashku e shikojmë veten në standardet evropiane”, the kreu i shtetit.

Duke iu referuar lajmit për arrestimin e kriminelit serb të luftës Radko Mlladiç, Presidenti i Republikës u shpreh se ky është një moment me rëndësi.  “Ky moment duhet shfrytëzuar për të rilançuar edhe njëherë të gjithë atë vizion të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur dialogun politik për t’iu drejtuar vizionit të integrimit me një forcë, e cila duhet të sinkronizohet nga i gjithë lidershipi politik i Ballkanit për të mos humbur kohë me diskutime që i takojnë një të kaluare të egër”, theksoi Presidenti Topi.

“Nuk ka pikë dyshimi që sot Ballkani Perëndimor ka një fizionomi tjetër. Pak vite më parë problematika e Ballkanit ishte tjetër; raporti midis vendeve ballkanike ishte gati i ftohtë, ndërsa sot diskutohet kryesisht për probleme të perspektivës dhe më pak për ato të retrospektivës. Unë dëshiroj të vë në dukje se sot më shumë se kurrë lind nevoja që vizioni i lidershipit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të orientohet pa asnjë lloj paragjykimi drejt perspektivës evropiane dhe euroatlantike”, vlerësoi Kryetari i Shtetit.

Gjithashtu, Topi vuri në dukje se Shqipëria ka mundësinë sot të demonstrojë elementë pozitivë të arritjeve të veta dhe se pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, siç ekzistojnë në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit.

“Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt”, theksoi Kryetari i shtetit. Në vijim, Presidenti Topi shprehu qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të agjendës prioritare të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-05-27 16:46
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›