Topi në Shëngjin: Qyetatarët të lënë mënjanë debatet politike

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u kërkoi qytetareve që të mos influencohen nga debatet e politikës, por të kthejnë sytë nga pushteti vendor. Deklarata e kreut të shtetit këtë herë vjen nga Shëngjini i Lezhës, ku ai ka përuar godinën e re të komunës së kësaj zone turistike.
“Sot vërtet në Shqipëri ka debat politik, ka edhe mosmarrëveshje të karakterit politik, por jam i bindur që klima e demokracisë bën të mundur që, përtej pozicioneve politike, njerëzit në komunitet të mos jenë të influencueshëm, por të bashkëpunojnë, të komunikojnë, sepse jeta në komunitet është ajo që i intereson gjithsecilit, pavarësisht nëse është i majtë, nëse është i djathtë, nëse nuk ka interes për politikën. Pra, të gjithë së bashku jetojmë në komunitet dhe komuniteti ka nevojë që të orientohet tek politika dhe pushteti vendor. Pushteti vendor ka detyrimin që të komunikojë me pushtetin qendror dhe të gjithë së bashku të bëjmë të mundur që jeta e qytetarit të përmirësohet” ka theksuar Topi.
Më pas, Kreu i Shtetit vizitoi fabrikën e përpunimit të peshkut , si dhe organozoi një takim me këshilltarë e Komunës Shëngjin e përfaqësues të sipërmarrjeve vendore. Më tej, Presidenti Topi dekoroi priftin italian Antonio Leuçi me Urdhrin e lartë "Nënë Tereza" sipas motivacionit "Për kontributin e dhënë në ndihmë të njerëzve në nevojë e në përmirësimin e jetës dhe arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht në zonën e Lezhës."