E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në “Sofrën pukiane” i shoqëruar nga Sali Shehu

31/10/2011  Sot qëndrimi zyrtar i PD-së në lidhje me propozimin e Shehut në krye të KLSH-së

Presidenti Bamir Topi ishte dje në Pukë i ftuar në “Sofrën pukjane”, një aktivitet i përvitshëm, që organizohet në qytetin verior. Ndër të tjera Topi shoqërohej dhe nga kandidati për postin më të lartë në Kontrollin e Lartë të Shtetit Sali Shehu. Shehu nuk bëri asnjë koment rreth reagimit të deputeteve të PD-së për kandidaturën e tij, pasi deklaratën do ta japë pas disa ditësh ndaj të gjithë atyre që kanë folur apo flasin kundër tij. Kandidatura e Shehut si njeriu që do të zëvendësojë Robert Çekun në krye të KLSH-së u propozua nga kreu i shtetit të enjten e kaluar, ku po atë ditë i është dorëzuar dhe Kuvendit për votim. Shehu, një ish-deputet për disa vjet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i PD-së, në legjislaturën e fundit 2005-2009 u njoh në ambientet politike si mbështetës i Topit, gjë që i kushtoi mandatin e deputetit në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit 2009, kur emri i tij nuk u përfshi në listat emërore të kandidaturave të paraqitur nga PD-ja për qarkun e Dibrës. Mazhoranca qeverisëse ende nuk është shprehur mbi një qëndrim të sajin për kandidaturën e Shehut të propozuar nga Presidenti Topi. Në mbledhjen e sotme të grupit të PD-së pritet të mbahet një qëndrim zyrtar i partisë më të madhe në pushtet në lidhje me këtë çështje. Ndërsa në seancën e ardhshme plenare të së enjtes deputetët e Kuvendit do të votojnë dekretin e Presidentit. Për t’u miratuar Shehut i mjafton një shumicë e thjeshtë prej 71 votash, por qëndrimi i mazhorancës do të mësohet gjatë këtyre dy ditëve, kur kandidatura e tij të kalojë në Komisionin e Ligjeve për shqyrtim. Dekreti i Presidentit vjen pas një periudhe të gjatë, në të cilën mazhoranca refuzoi shqyrtimin e disa prej emrave të propozuar për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Këto sollën një ftohje institucionale mes legjislativit dhe Presidencës. Por marrëdhëniet mes Presidentit dhe mazhorancës u acaruan duke arritur kulmin pas ngjarjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar të këtij viti, posaçërisht pas akuzave që Kryeministri Berisha i bëri Presidentit Topit për pjesëmarrje të këtij të fundit në një puç shtetëror. Gjithashtu edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka qenë një prej zyrtarëve që ka pasur përplasje të ashpra me Presidentin gjatë kësaj periudhe.

“Sofra pukjane”

Presidenti Topi ishte sot në Pukë i ftuar në “Sofrën pukjane”, një aktivitet i përvitshëm, që organizohet në qytetin verior. Topi, i cili është pritur nga qindra banorë të këtij qyteti, fillimisht ka ndaluar në Muzeun Etnografik, ku u njoh me vlerat etnokulturore, ndërkohë që ka shmangur takimin në Bashki, i planifikuar në të njëjtën orë. Më pas Presidenti i Republikës ka ndjekur koncertin festiv me artistët e ansamblit popullor “Puka’” dhënë në nderim të tij.

Dekorimet

Presidenti Topi në veprimtarinë e djeshme ka nderuar dy prej emrave të këtij rrethi: Mark Dodë Alia, i cili pas vdekjes u nderuar me titullin “Nënë Tereza”, mjekun e njohur Elez Selimi, me titullin “mjeshtër i Madh i Punës”. Në largim Presidenti Topi ka shmangur reagimet lidhur me deklaratën e një dite më parë të të zgjedhurve vendorë përfaqësues të Partisë Demokratike, që e cilësonin vizitën e tij si promovim politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›