E Shtunë, 31 Tetor 2026

“I fundit” i kontrabandës së naftës, Iljaz Fisheku lë qelinë

31/10/2011  Biznesmeni i shtruar në spital kur u dha vendimi nga gjykata e Tiranës

TIRANE- Lirohet nga burgu i fundi nga 13 të arrestuarit si të dyshuar për kontrabandën e naftës virgine. Biznesmeni Iljaz Fisheku ka lënë qelinë pak ditë më parë, për shkak se gjykata e Tiranës me vendimin e datës 23 tetor ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga qelia të administratorit të kompanisë së naftës “Fisheku”. Lirimi i biznesmenit nga Fieri vjen në një kohë kur prokurorët e njësisë hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës janë duke mbyllur veprimet hetimore dhe se brenda kësaj jave pritet të dërgojnë dosjen në gjyq, ku së bashku me 14 të pandehur, nën akuzë janë dhe dy biznesmenët kryesore Hajri Elezaj (i arratisur) dhe Iljaz Fisheku, i sapoliruar nga burgu. Dhjetë ditë më parë, biznesmeni Elezaj kishte depozituar një kërkesë në gjykatën e kryeqytetit ku kërkon lirimin nga qelia për shkak të përfundimit të afateve hetimore. Kërkesa është marrë në shqyrtim nga gjyqtarja Shefkie Demiraj, e cila pasi dëgjoi pretendimet e avokatit mbrojtës dhe përfaqësuesit të Prokurorisë ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Fishekut. Sipas vendimit të gjykatës, deklarohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe caktimin si masë sigurimi personal me karakter shtrëngues për të pandehurin Iljaz Fisheku, “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë. Më tej në vendim gjykata thekson se ky detyrim duhet të kryhet një herë në dy javë çdo të premte në orën 10:00 të paradites. Gjatë dhënies së vendimit për lirim nga qelia, biznesmeni Iljaz Fisheku ka qenë i shtruar në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, për shkak të disa komplikacioneve me shëndetin. Iljaz Fisheku është personi i fundit që ka lënë qelinë nga të arrestuarit e kontrabandës virgine, skandal ky që u denoncua publikisht nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. 13 personat e arrestuar lidhur me këtë çështje janë liruar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Shkallës së Parë, ku mes tyre ka përfituar dhe biznesmeni Hajri Elezaj. Ky i fundit fitoi lirinë si rezultat i paraqitjes së një raporti mjekësor, por më pas ky raport nuk u morë në konsideratë nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi rikthimin në qeli të Elezaj. Mirëpo pikërisht në këtë moment ai humb çdo gjurmë, duke bërë që momentalisht të ekzistojë si person në kërkim ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›